Opozita në Gjakovë: Nuk tërhiqemi nga kërkesat

E publikuar: 05/12/2015 14:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me moton Gjakova manifeston për Republikën, partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma kanë mbajtur të shtunën një tubimi në sheshin “Nënë Tereza”.

Tubimi ishte thirrur për të kundërshtuar marrëveshjen që qeveria e Kosovës ka nënshkruar me Beogradin për krijimin e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe dhe asaj me Malin e Zi për demarkacionin.

Fillimisht qytetarëve u janë drejtuar deputetë dhe zyrtarë të këtyre subjekteve politike që vijnë nga Gjakova. Kurse masës së tubuar i janë drejtuar edhe liderët e partive opozitare.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë para qytetarëve të tubuar në sheshin “Nëna Terezë” se masat e fundit policore dhe burgosjet e deputetëve ishin ndërmarrë që ta heshtin opozitën. Por, sipas tij, kjo do të jetë e pamundshme.

“Opozita e bashkuar e ka bërë të qartë se Republika nuk e pranon dhe as nuk e duron ‘Zajednicën’ e Serbisë, e Kosova as nuk e pranon dhe as nuk e duron faljen e tokës së saj Malit të Zi. Andaj, protestojmë dhe do të protestojmë”, është shprehur Ymeri.

Përderisa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se ky manifestim ka si qëllim kundërshtimin e marrëveshjeve të dëmshme për vendin.

Ndërkaq nisja e tyre nga Gjakova, sipas tij, ka simbolikën e vet, ngase nga ky shesh kishin filluar edhe protestat për rrëzimin e ish-ministrit Aleksandar Jabllanoviq.

Edhe kësaj radhe, sipas tij, në fund, opozita do të fitojë dhe marrëveshjet nuk do të kalojnë.

“Çka i ka ndodhur Kosovës? Pushtetarë të këqij . Ata e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje. Ata na kanë detyruar të hedhim gaz lotsjellës në Parlament. Janë po këta pushtetar që na i kanë thyer dyert e shtëpive e zyrave, që të na detyrojnë t’i pranojmë marrëveshjet e dëmshme, por kushdo që ka provuar me zor t’iu marrë diçka shqiptarëve, kurrë nuk ia ka arritur qëllimit”, ka thënë Haradinaj.

Edhe lideri i partisë Nisma, Fatmir Limaj, ka thënë se “burgosjet politike dhe shantazhet e thyerjet e shtëpive të deputetëve opozitar”, nuk do ta ndalin opozitën në kundërshtimin e marrëveshjeve që qeveria e Kosovës ka arritur me Serbinë dhe Malin e Zi.

“Ne po e përcjellim mesazhin tek ata që i kanë mbyllur sytë, se Kosova më nuk është e përgjumur dhe se Kosova tash i thotë jo ‘Zajednicës’ (term që opozita përdor për Asociacionin) dhe jo demarkacionit”, ka thënë Limaj

Ky manifestim ishte i pari në kuadër të tubimeve të ngjashme që janë paralajmëruar edhe nëpër qytetet tjera të Kosovës.

Një manifestim i ngjashëm është mbajtur edhe në Prishtinë, më 28 nëntor.

Opozita insiston që Kryeministri i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës të tërheqin nënshkrimet nga marrëveshja me Serbinë për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe ajo me Malin e Zi për demarkacionin.

Në kundërshtim të këtyre marrëveshjeve, opozita përdori si masë proteste edhe bllokimin e Kuvendit, duke hedhur gaz lotsjellës në sallë e gjësende tjera.

Për shkak të këtyre veprimeve, Kryesia e Kuvendit suspendoi për një seancë opozitën, kurse organet e rendit kishin arrestuar pesë deputet opozitar, dy prej të cilëve, Donika Kadaj – Bujupi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Albin Kurti nga Vetëvendosje, po mbahen në paraburgim, transmeton rel.

Për t’i zgjidhur këto mosmarrëveshje, të cilat datojnë që nga 25 gushti kur ishin nënshkruar marrëveshjet me Serbinë, përkatësisht Malin e Zi, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka ftuar opozitën që të hënën të takohen dhe bisedojnë së bashku, por tash për tash, liderët opozitar e kanë kundërshtuar propozimin e tij.