Opozita: Kuvendi po vihet nën kontrollin e Policisë

E publikuar: 14/10/2015 16:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Subjektet parlamentare opozitare konsiderojnë që vendimet e sotme të Kryesisë së Kuvendit (në mbledhjen e së cilës morën pjesë LDK, PDK dhe Lista Srpska) janë absolutisht të papranueshme, thuhet në komunikatën e përbashkët të tri subjekteve opozitare – Vetëvendosjes, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Nismës për Kosovën.
Konsiderojmë se këto janë metoda të shtetit policor që dhunon deputetë, arreston kundërshtarët politikë dhe ndalon deputetët të futen në Kuvend. Kryetari i Kuvendit po e blindon këtë institucion duke e vënë nën mbikëqyrje policore. Policia po i mbivendoset demokracisë. Kjo është e papranueshme, vazhdon komunikata.

Trajtimi i tillë, sipas opozitës, ndaj përfaqësuesve të zgjedhur të popullit, është në funksion të bosnjëzimit të Kosovës, duke mbrojtur “Zajednicën” dhe në funksion të humbjes së integritetit territorial të Kosovës, duke i dhënë Malit të Zi mbi 10 mijë hektarë.

Veprimi politik opozitar është tërësisht legjitim, në mbrojtje të shtetit, të integritetit territorial të tij, si edhe në mbrojtje të karakterit qytetar e jo etnik të organizimit tonë shoqëror e shtetëror. Etnizimi i territorit të shtetit, i cili po na servohet përmes këtyre marrëveshjeve, “de facto” është logjikë apartheidi dhe segregacioni në baza etnike, që nuk është as në interesin e shumicës e as të pakicës. Prandaj ne jemi të vendosur që të mos e lejojmë një gjë të tillë!

Protesta jonë në Kuvend do të vazhdojë dhe nuk do të ketë kompromis pa u tërhequr marrëveshjet. Çdo tensionim i situatës, pas këtyre masave policore, është përgjegjësi e kryetarit të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, përfundon komunikata.