Opozita kritikon pushtetin: Buxheti i vitit të ardhshëm është buxhet i Vetëvendosjes

E publikuar: 15/11/2024 16:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, pasi s’janë marrë parasysh kërkesat e opozitës, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje e konsideron si buxhet zhvillimor.

Gjatë diskutimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku u shqyrtua Projektligji mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e vitit 2025, opozita kritikoi pushtetin.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, tha se procedimi kaq i shpejtë i buxhetit është qesharak dhe tragjik.

“Procedimi kaq i shpejtë i buxhetit për vitin e ardhshëm është qesharake dhe tragjike. Është mirë të bëjmë një shembull që të gjitha propozimet ti marrim me profesionalizëm dhe ti mbështesim të gjitha propozimet që janë në të mirë të qytetarëve, komunave sepse po hasin shumë në vështirësi. Projektligji për ndarjet buxhetore ka ndikim drejtpërdrejtë për tek ta dhe nëse merren parasysh kërkesat tona, atëherë ju garantoj se do ta përkrahim këtë buxhet”, u shpreh Lushtaku.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se buxheti i vitit të ardhshëm është buxhet i Vetëvendosjes.

Kritika pat edhe për mungesë hapësirës për organizatat buxhetore.

“Para vetes kemi dokument të rëndësishëm që qytetarët në praktik duhet t’i gëzohen sepse përfitojnë por e them se ky buxhet është i VV e jo i qytetarëve. Po nisem nga ajo që e kem parë në seancë dhe kam me duar që do t’i jepni hapësirë organizatave buxhetore që të dëgjohen kërkesat e tyre që janë legjitime, por në mënyrë diktatoriale i ke larguar siç ka qenë praktike në të kaluarën. Asnjë organizatë buxhetore nuk ka pas hapësirë që të vijnë dhe të japin qëndrimet e tyre dhe sot i kemi qit para aktit të kryer dhe ky buxhet më së paku do t’i shërbejë qytetarët. Po e marr kontratën kolektive për komunat dhe e kanë bërë një amandament që të përmbushen kriteret që i kanë kërkuar dhe ja që as sot nuk janë dëgjuar kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh”, u shpreh Lekaj.

E deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, tha se buxheti për vitin e ardhshëm është i madh, teksa konsideron se përkrahje ka edhe për komunat.

“Buxheti për Komunat parashihet që të jetë rreth 788 milionë euro, qoftë përmes grantit për arsim, për shëndetësi por edhe përmes granteve tjera. Është 220 milionë euro më shumë se sa që kanë shpenzuar komunat këtë vit”, u shpreh Muja.

Në fund, komisioni paraqiti 122 amandamentet e propozuara për buxhetin e vitit të ardhshëm.

Grupi Parlamentar i AAK-së ka propozuar që të rritet vlera e koeficientit për punonjësit e sektorit.

Sipas tyre, vkera e koeficientit duhet të bëhet 150 euro, por që u kundërshtua nga ministri i Financave, Hekuran Murati. Ky i fundit, tha se për këtë shumë do të nevojiteshin edhe 370 milionë euro. Nga AAK-ja thanë se me ndryshimet e strukturës së koeficientit, i detyrojnë që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese./eo