Opozita kritikon dialogimin në Bruksel për “çështje të brendshme” – Rrezik që dinari të bëhet valutë zyrtare në Kosovë

E publikuar: 14/04/2024 11:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Çështja e dinarit serb, pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e kësaj valute për pagesa në territorin e Kosovës, ka bërë pozita dhe opozita, të kenë qëndrime të ndryshme me bashkësinë ndërkombëtare, raporton Ekonomia Online.

Nga PDK e LDK thonë se dinari nuk është dashur të jetë temë në Bruksel, ndërsa nga mazhoranca e mohojnë se një gjë e tillë ka ndodhur.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, thotë për Ekonomia Online se çështjet e brendshme nuk është dashur të diskutohen në Bruksel, andaj kritikon veprimet e ekzekutivit.

Deputetja e LDK-së, kryeministrin Kurti e quan “njëri të krizave”, duke thënë se pranon çdo gjë që e kundërshton.

“Së pari çështja e dinarit nuk është dashtë me hyrë në kuadër të dialogut dhe nuk është dashtë me qenë takimi në Bruksel sepse është çështje e brendshme në institucionet e Kosovës prapë se ka pranu propozimin nga Lajçak, ne tani jemi mësuar me këtë qeveri që tashmë çdo send që e thotë jo pas disa muajve e pranon sepse kalojmë prej krizës në krizë. Kryeministri Kurti është njeri i krizave ju e dini se prej veriut kalon te dinari, prej dinarit tash i vjen ndonjë krizë tjetër dhe nuk është diçka që kanë prit se nuk do të pajtohet se deri më tani çka ka kërkuar BE-ja veç kanë bërë kriza, hallakame sepse pastaj i kanë pranuar”, u shpreh Krasniqi.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, thotë për Ekonomia Online se veprimet e Qeverisë janë populiste dhe të gabuara sa i përket çështjes së dinarit.

Sipas Haxhiut, dialogimi në Bruksel për këtë çështje, rrezikon që Kosova ta bëjë valutë zyrtare dinarin.

Ndërsa, ka akuza edhe në drejtim të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili sipas tij po mashtron.

“Sa herë flasim për çështjen e dinarit e para duhet të informojë qytetarët se prej vitit 2002 valutë zyrtare në Republikën e Kosovës është euro gjithashtu me kushtetutën e Kosovës garantohet që Kosova ta ketë vetëm një valutë zyrtare dhe ajo është euro i gjithë diskutimi sa i përket çështjes së dinarit mendoj se është tërësisht i gabueshëm prej anës së qeverisë në formën se si i janë qasur kësaj problematike duke u përpjekur që me e përdor politikisht për qëllime populiste elektorale, ndërsa po shkojnë drejt legalizimit të dinarit në komunat me shumicë serbe që do të jetë një problem”, thotë Haxhiu.

Haxhiu thotë se numri dy i Qeverisë ka mashtruar publikisht se nuk do të bisedonte në Bruksel për çështjet “e brendshme”.

“Unë e kam tërhequr vërejtje që në fillim se kjo rrezikon të legalizojë dinarin Bislimi në Bruksel bashkë me palën serbe dhe kjo do jetë një brengë e madhe për sistemin monetar të Republikës së Kosovës në të ardhmen. Është anakronike dhe e pakuptueshme se si mundet një zëvendëskryeministër deri në këtë nivel t’i mashtrojë qytetarët të deklarohet publikisht se nuk shkon në Bruksel për të dialoguar për dinarin, ndërsa tani del thotë se kemi një marrëveshje për dinarin me BE-në kjo vërtetë është e pakuptueshme por edhe do kërkonte një transparencë më të madhe për të ditur qytetarët se cili është ai propozim dhe cila është ajo marrëveshje që po arrihet në Bruksel”, deklaroi Haxhiu.

Por ndryshe nga opozita po mendon deputeti i Lëvizjes Vetëvendsoje, Dimal Basha.

Ai për Ekonomia Online thotë se kjo çështje nuk ka kthim mbrapa dhe se në Bruksel nuk po diskutohet për dinarin.

“Nuk ka propozim për dinarin për shkak se rregullorja e BQK-së thotë që monedha valuta e vetme në Republikën e Kosovës është euro pra as leku shqiptar as dollari amerikan as dinari serb. Kjo është punë e përfunduar dhe prej kësaj nuk lëviz që nënkupton se atje nuk është duke u biseduar për çështjen e dinarit, atje Qeveria jonë meqenëse janë qytetarë të Republikës së Kosovës edhe me shqetësimin e BE-së, miqve tanë ndërkombëtarë atëherë zoti Bislimi i ka ofruar mundësi ku shteti serb e kanë mundësi me bë transfere të mjeteve për qytetarët serb që jetojnë në Kosovë dhe që kanë të drejtë me nda fonde mirëpo ato fonde duhet me kalu në bankat e Republikës së Kosovës edhe shpërndarja mund të bëhet me postën e Kosovës por valuta e vetme mbetet euro kështu që kërkesa e Serbisë pra mbetet që posta e Serbisë me e bë shpërndarjen edhe me e shpërnda me kesh ajo punë është e vdekur nuk pranohet edhe nuk do të mund të realizohet asnjëherë për shkak se ju e dini që përmes dinarit këta i kanë thirrur fizikisht secilin person i kanë marr në intervistim ata dhe i kanë shantazhuar kjo punë ka mbaruar nuk mundet më asnjëherë me u kthye kështu që rregullorja flet për një valutë të vetme që është euro nuk është çështje dinari është nëse Serbia don me i transferu mjetet ne i kemi ligjet dhe bankat tona”, u shpreh Basha.