Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë kërkuar që sa më shpejt të futet në rend dite përzgjedhja e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës.
Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, tha se për momentin nuk ka më të rëndësishme sesa përzgjedhja e Guvernatorit.
“Unë kam dërguar edhe email ku kam pyetur se ku është procesi i përzgjedhjes së Guvernatorit të BQK-së. Në media e kam lexuar se tash ka dhënë dorëheqje edhe zëvendësguvernatorja”, tha Hoti.
Të njëjtën e kërkoi edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku.
“Pajtohem me zotëri Hotin që të vije sot në këtë mbledhje, pavarësisht se kemi shumë pika të rendit të ditës. Në fund të ditës të vendoset në rend të ditës se ne ashtu kështu nuk mund ta diskutojmë për shkak të seancës, por e rëndësishme është që të vendoset në rend dite”, tha Lushtaku.
Në fund, kryetari i këtij Komisioni, Armend Muja tha se së shpejti do të futet në rend dite kërkesa e opozitës./EO