Opozita i vë kushte qeverisë për ta votuar në shtator Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike

E publikuar: 27/08/2020 22:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike që më parë ka dështuar të votohet në Kuvend do t’iu paraqitet përsëri deputetëve për votim pas pushimeve.

Por nga opozita thonë se nëse nuk bëhen ndryshimet e kërkuara ai projektligj nuk do të votohet.

Këshilltari për media në Zyrën e Kryeministrit, Xhavit Beqiri, ka konfirmuar në RTV Dukagjini se ndër temat e para do të jetë Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike.

Megjithatë projektligji në fjalë përsëri ka rrezik të mos votohet nëse nuk ndryshohet nga opozita.

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi thotë se propozimi i qeverisë duhet të jetë gjithëpërfshirës.

“Propozimi duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe duhet të mbulojë mangësitë dhe gabimet që kjo qeveri i ka bërë deri më tani me ekonominë e sidomos me sektorin privat. Pra vota e PDK-vë varet nga cilësia e propozimit që bënë Qeveria Hoti për rimëkëmbjen ekonomike”, deklaroi Bytyçi në RTV Dukagjini.

Ndërsa deputeti i LVV-së, Hekuran Murati thotë se edhe ky projektligj tregon se qeveria nuk ka legjitimitet të qeverisë pasi sipas tij nuk i ka votat për të qeverisur.

Në seancën kur u hodh në votim Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, në sallë votuan vetëm 43 deputetë.