“Pra, nuk do të ndalemi që të presim vendimet e saj. Përkundrazi, subjektet opozitare do të vazhdojnë aktivitetin e tyre në mënyrë edhe më intensive”.
Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët për media, pas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese për masën e përkohshme për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, i cila do të aplikohet deri me 12 janar 2016.
“Pas dy muajsh të rezistencës aktive të opozitës, pas mbi 205 mijë nënshkrimeve të qytetarëve, gjunjëzimi i pushtetit veç ka filluar”, thuhet në reagimin e Opozitës.
“Presidentja i dërgoi në Gjykatë Kushtetuese marrëveshjet e 25 gushtit ndërkohë që demarkacioni me Malin e Zi, tashmë është i shpallur ‘nul’ dhe në formën aktuale, nuk do të ratifikohet nga askush”.
Gjithsesi, përkundër këtij vendimi Opozita thotë se vazhdon të mos i besojë Gjykatës Kushtetuese, dhe se ata nuk do të ndalen me aktivitetet e tyre në pritej të një vendimi nga Gjykata.
“Ne kemi njëmijë arsye që të mos i besojmë Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk ka kredibilitet dhe është e kapur, por vetë fakti që presidentja u detyrua t’i dërgojë marrëveshjet atje, është tërheqje e pushtetit karshi presionit qytetar dhe të opozitës”.
“Pra, nuk do të ndalemi që të presim vendimet e saj. Përkundrazi, subjektet opozitare do të vazhdojnë aktivitetin e tyre në mënyrë edhe më intensive”.
“Nuk do të ketë funksionim normal të institucioneve shtetërore, pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi”.
Postimi i plotë i Opozitës.
NUK NDALEMI DERI NË TËRHEQJEN E MARRËVESHJEVE
Fitorja e opozitës së bashkuar, në kauzën e saj për mbrojtjen e shtetit, është e pashmangshme. Drejtësia e kësaj kauze, në njërën anë, dhe vendosmëria jonë në anën tjetër, pashmangshëm do ta gjunjëzojnë koalicionin e dy marrëveshjeve me të cilat është rrezikuar Republika e Kosovës.
Kur u nënshkruan marrëveshjet e fundit me Serbinë, më 25 gusht, kryeministri, zëvendëskryeministri dhe të gjithë vartësit e tyre, deklaronin me vendosmëri të lartë se marrëveshjet do të zbatohen, se ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe se nuk do të ketë kthim mbrapa. Ata nuk e morën seriozisht, seriozitetin e opozitës së bashkuar.
Sot, pas dy muajsh të rezistencës aktive të opozitës, pas mbi 205 mijë nënshkrimeve të qytetarëve, gjunjëzimi i pushtetit veç ka filluar. Presidentja i dërgoi në Gjykatë Kushtetuese marrëveshjet e 25 gushtit ndërkohë që demarkacioni me Malin e Zi, tashmë është i shpallur ‘nul’ dhe në formën aktuale, nuk do të ratifikohet nga askush.
Ne kemi njëmijë arsye që të mos i besojmë Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk ka kredibilitet dhe është e kapur, por vetë fakti që presidentja u detyrua t’i dërgojë marrëveshjet atje, është tërheqje e pushtetit karshi presionit qytetar dhe të opozitës.
Ne e kemi të qartë që kjo tërheqje ka për synim pamundësimin e fitores së plotë të opozitës, në kauzën e saj për tërheqjen e plotë të këtyre marrëveshjeve. Është pikërisht Gjykata Kushtetuese ajo që paligjshëm ia vazhdoi PDK-së qëndrimin në pushtet dhe normalisht që nuk presim kurrfarë vendimi në mbrojtje të shtetit dhe Kushtetutës, nga një gjykatë e kapur. Pra, nuk do të ndalemi që të presim vendimet e saj. Përkundrazi, subjektet opozitare do të vazhdojnë aktivitetin e tyre në mënyrë edhe më intensive.
Nuk do të ketë funksionim normal të institucioneve shtetërore, pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi.
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
Nisma për Kosovën


















