Opozita do të vazhdojë bllokimin e seancave

E publikuar: 13/10/2015 13:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Blloku opozitar është i vendosur që të vazhdojë deri në fund me bllokimin e seancave, derisa kryeministri Isa Mustafa nuk e tërheq nënshkrimin për marrëveshjet e 25 gushtit në Bruksel.

Zyrtarë të Vetëvendosjes dhe Nismës për Kosovën kanë deklaruar se është e papranueshme të vazhdojë jeta institucionale derisa ajo sociale po pamundësohet nga kjo politikë.

Pas zhvillimeve të fundit, opozita paralajmëron se do të vazhdojë me bllokimin e seancave si dhe organizimin e protestave deri në tërheqjen e marrëveshjeve të fundit. Zyrtari për media në lëvizjen Vetëvendosje, Frashër Krasniqi ka thënë se Opozita e bashkuar nuk do të lejojë vazhdimin e seancave të Kuvendit pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe ajo e demarkacionit me Malin e Zi.

“Është e papranueshme që të vazhdojë jeta institucionale ndërkohë që jeta sociale dhe politike e qytetarëve të Kosovës po pamundësohet”, tha Krasniqi.

Bilall Sherifi nga NISMA thotë se Isa Mustafës i kanë mbetur dy zgjidhje nëse nuk tërhiqet nga vendimet tij, referendum ose zgjedhje të parakohshme.

“Nëse ata nuk janë të gatshëm të tërhiqen nga marrëveshjet atëherë janë dy zgjidhje. Është referendumi ose zgjedhjet përmes të cilave qytetarët do të deklarojnë se a janë për “Zajdenicën” apo kundër saj”, tha ai.

Menjëherë pas lirimit, mbrëmë Albin Kurti kishte bërë thirrje për protesta, sepse sipas tij vetëm në këtë mënyrë parandalohen pretendime territoriale të Serbisë dhe Malit të Zi.

“Ne njëri tjetrin e inkurajojmë që të mos ndalemi deri sa t`i ndalim edhe pretendimet e Malit të Zi për tokat tona edhe pretendimet e Serbisë përmes “Zajdenicës”. Pra, nëse ne nuk ndalemi këta ndalen dhe n nuk duhet të ndalemi asnjëherë në mënyrë që bashkë ta realizojmë republikën e Kosovës ashtu qysh e ka emrin”.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës , përmes një komunikate për media, konsideron se skandali me Albin Kurtin, ka qenë i menduar, i kalkuluar dhe është bërë me qëllim të eskalimit të situatës, në mënyrë që më pastaj të fajësohet opozita për veprime të dhunshme. AAK thotë se opozita tashmë është edhe më e vendosur në kërkesat e saj të ligjshme, për pezullimin dhe korrigjimin e marrëveshjeve për Demarkacionin dhe Asociacionin e Komunave serbe.