Opozita as do marrëveshje, as seanca të Kuvendit

E publikuar: 20/10/2015 11:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sa ka përfunduar takimi i presidentes Atifete Jahjaga me liderët e opozitës Visar Ymeri, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj.

Nga ambientet e Presidencës, ku u zhvillua takimi, raportohet se opozita, Vetëvendosja, AAK-ja dhe Nisma për Kosovën, ka kërkuar sërish që të anulohen marrëveshjet me Serbinë dhe ajo për demarkacionin me Malin e Zi.

Ata gjithashtu kanë kërkuar që të mos mbahen seancat e tjera të Kuvendit, pasi mund të përshkallëzohet gjendja.

Liderët e subjekteve opozitare kanë ripërsëritur qëndrimet se nuk do të ulën në një tryezë me pozitën pa u tërhequr marrëveshja me Serbinë për Asociacionin dhe ajo për demarkacionin me Malin e Zi.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri u tha gazetarëve pas takimit se ia bënë të qartë presidentes se nuk tërheqin nga qëndrimet e tyre derisa Mustafa të tërheq marrëveshjen për Asociacinin e Komunave Serbe dhe marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se nuk duhet të thirret seanca e Kuvnedit derisa Qeveria me anë të policisë dhe prokurorisë tenton të ndalë deputetët dhe aktivistët e opozitës.

Edhe lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj kërkoi të ketë tërheqje të marrëveshjeve.

“Për Qeverinë ka krizë vetëm kur ka mungesë të numrave, por se kriza në vend tanimë veç po shihet”, tha Limaj.

Të pyetur nga gazetarët se a do të ulën në një tryezë me Qeverinë, ata thanë se pa tërheqjen e marrëveshjeve nuk do të ulën në një tryezë të tillë.

Presidentja ende nuk ka dalë me ndonjë prononcim pas takimit.

Takimi u zhvillua në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një rrugë që do të kthente në normalitet punën e institucioneve, të bllokuara nga veprimet e opozitës, tashmë të kthyer në bllok.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka ftuar për orën 11 mbledhjen e Kryesisë, për të caktuar rendin e ditës dhe ditën e mbajtjes së seancës së legjislativit, i cili në sesionin vjeshtor nuk ka mundur të kryej asnjë nga mbledhjet, si pasojë e veprimeve bllokuese të opozitës.