Opinionisti Rexhaj: Takimi Nexhmedin Spahiu – Marko Gjuriq s’ishte privat, por i koordinuar nga Kurti

E publikuar: 19/05/2025 18:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Opinionisti Sali Rexhaj ka ngritur dyshime serioze rreth takimit të fshehtë mes analistit Nexhmedin Spahiu dhe përfaqësuesit serb Marko Gjuriq. Sipas Rexhajt, fakti që takimi nuk ishte paralajmëruar dhe u bë publik vetëm pas publikimit të një fotografie nga vetë Spahiu, ngre dyshime për qëllime të fshehta.

Ai thekson se Gjuriqi njihet si i afërt me presidentin rus Putin dhe se ky takim mund të ketë pasur prapaskena politike.

Rexhaj dyshon se Spahiu mund të ketë përfaqësuar kryeministrin Albin Kurti, duke sugjeruar një koordinim të mundshëm mes Vetëvendosjes dhe Listës Serbe. Ai kërkon transparencë dhe që z. Spahiu të tregojë të vërtetën për këtë takim.

Postimi i plotë:

Në profil të Nexhmedin Spahiu nuk ishte paralajmëruar takimi me Marko Gjuriqin para se të ndodhte. Kjo ngjarje u bë publike vetëm pasi vetë z. Spahiu e publikoi fotografinë nga takimi. Kjo nënkupton se takimi ishte paraparë të ndodhte në mënyrë të fshehtë, por pasi u pikas nga shërbimet në Beograd, Spahiu vendosi ta bëjë publik vetë.
Është e rëndësishme të theksohet se Gjuriqi nuk është një politikan i zakonshëm, në Serbi ai njihet si njeriu i Putinit, dhe kjo e bën këtë takim edhe më të rëndësishëm. Prandaj, qytetarët e Kosovës dhe institucionet e sigurisë kanë të drejtë të dinë pse ndodhi ky takim, cila ishte tema e bisedimeve dhe kush e kërkoi.
Të thuhet se z. Spahiu ka shkuar në këtë takim “krye në vete” për të kërkuar njohjen e Kosovës është një tregim për fëmijë. Duhet zbardhur se kush e porositi këtë takim dhe cili ishte qëllimi i vërtetë.
Duke pasur parasysh lidhjet e tij të afërta me Kryeministrin Kurti, është e pamundur të besohet se Spahiu veproi në mënyrë të pavarur. Ai duket se ka përfaqësuar Kurtin në këtë takim, po ashtu siç Gjuriqi ka përfaqësuar Vuçiqin dhe, në mënyrë të tërthortë, Putinin.
Qëllimi i këtij takimi, sipas të gjitha gjasave, ka qenë koordinimi për një koalicion të mundshëm mes Vetëvendosjes dhe Listës Serbe. Por për këtë “shërbim”, është e qartë se Vuçiqi do të ketë kërkesa të mëdha ndaj Albin Kurtit.
Z. Spahiu duhet ta tregojë të vërtetën, jo përralla për fëmijë.