Një mjek i Klinikës së Kardiokirurgjisë në QKUK e ka shpërndarë një operacion si sukses në rrjetet sociale, por në fakt pacienti ka ndërruar jetë disa orë pas intervenimit.
Kardiokirurgu Kushtrim Shala ka dal me një postim publik para 18 orësh në profilin e tij në Facebook, ku ka pretenduar se ka kryer me sukses një operacion të rrallë tek një pacient me diseksion akut të aortës. Në fakt operacioni nuk dihet nëse ka pasur sukses, sepse pacienti ka vdekur pas disa orësh.
Gazeta Shneta ka mësuar nga burime brenda QKUK-së se pacienti (emër i njohur për redaksinë) i moshës 63-vjeçare, ka ndërruar jetë disa orë pas operacionit.
Lajmin e ka konfirmuar edhe drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë Dr. Rifat Brahimaj, i cili ka thënë se është në pushim por është njoftuar për rastin.
Brahimaj ka deklaruar se mjekët që e kanë kryer këtë operacion nuk janë kompetent për këtë intervenim, pasi nevojitet përvojë e gjatë dhe ekspertizë.
“Jam në pushim por jam informuar për rastin. Mjekët që e kanë kryer këtë operacion nuk janë kompetent për ndërhyrje të tilla sepse ata kanë vështirësi edhe në procedura standarde. Të hysh në një procedurë të tillë pa pasur përvojën e duhur dhe ta paraqitësh si sukses, e pacienti ndërron jetë pas disa orësh, kjo me të vërtetë është hipokrizi”, ka deklaruar Brahimaj.
Ai ka thënë se si drejtor do të jetë në koordinim me drejtorinë e SHSKUK-së për të marr masa për rastin.
“Ju e dini se është e ndaluar me rregullore të SHSKUK-së publikimi i rasteve të tilla. Kjo është shkelja e parë që e kanë bërë mjekët dhe sigurisht se duhet të merren masa. Duhet poashtu të bëhet një vlerësim i rastit. Pacientët mund të vdesin nga komplikime edhe në rastet më të lehta, por në këtë rast është kryer një procedurë nga persona jokompetent. Ata kanë licencën e kardiokirurgut dhe ne nuk mund t’i ndalojmë të kryejnë operacione ose t’ju tregojmë se cilat operacione t’i kryejnë, por duhet të shikohet rasti dhe të merren masa”, ka deklaruar Brahimaj.
Kardiokirurgu Kushtrim Shala ka shkruar në Facebook se është kryer me sukses operacioni i rrallë i quajtur “David”. Me këtë operacion mundësohet që pacientit t’i ruhet valvula native aortale gjatë zëvendësimit të rrënjës së aortës në rastet kur ka diseksion akut dhe aneurizëm.
Më postimin e Kushtrim Shalës është i shoqëruar edhe emri i kardiokirurgut tjetër Endrit Shala dhe disa anëtarë të ekipit të anestezionit.
Gazeta ka kontaktuar Kushtrim Shalën, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje përmes rrjeteve sociale derisa numri kontaktues i tij nuk është i qasshëm.
Përgjigje deri në këto momente nuk kanë kthyer as nga drejtoria e SHSKUK-së. /Gazeta Shneta/