Operacion në Durrës, arrestohet ‘postieri’ që shfrytëzonte femrat për prostitucion 50 euro/ora

E publikuar: 07/10/2017 15:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Durrës, zhvillohet operacioni i koduar ”Postieri”, arrestohet Hektor Psatha, i cili shfrytëzon femra për prostitucion dhe shpërndante kokainë në lokalet e natës.

Policia e Durrësit më bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, pas një hetimi 6- mujor me metoda speciale kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Postieri”. Është arrestuar në flagrancë Hektor Psatha 38 vjeç, banues në Durrës.

Gjatë veprimeve hetimore të kryera nga ana e Specialistëve të Sektorit për Hetimin e Krimit të Organizuar është dokumentuar se shtetasi i mësipërm shfrytëzonte femra për prostitucion kundrejt pagesës prej 50 € dhe shpërndante lëndë narkotike në lokalet e natës, kryesisht në zonën e Plazhit.

Janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale: • 22 doza lëndë narkotike e dyshuar e llojit Kokainë; • një automjet tip Toyota Yaris; • 2 telefona celularë. Psatha është person me precedentë penal të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër pronës. Për shkak të hetimeve nuk japim më shumë detaje rreth ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale ” Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” parashikuar në nenet 114 dhe 283 të Kodit Penal.