Trajneri i Danimarkës, Morten Olsen prej disa ditësh ndodhet nën presionin e mediave vendase por edhe të Federatës Daneze të Futbollit, që ka paralajmëruar marrjen e masave nëse nuk arrihet objektivi me Shqipërinë. Gjithsesi 66-vjecari u shfaq i qetë në konferencën për shtyp në prag të përballjes me kuqezinjtë, duke e pranuar se formacioni i tij do ta ketë shumë të vështirë përballë rreshtim të ngjeshur të kuqezinjve.
“Detyra jonë është të gjejmë hapësira dhe t’i shfrytëzojmë, sepse Shqipëria është një skuadër shumë e ngjeshur. Nuk do të na lejojnë që të luajmë në gjysmëfushën e tyre. Shqipëria nuk është një kundërshtare që të jep mundësi të krijosh 10 raste për shënim. Ne duhet të jemi efektivë para portës në cdo rast që do të krijojmë”.
Olsen e ka të qartë se Shqipëria do të luftojë për të marrë qoftë një pikë, një objektiv mëse i arritshëm për kuqezinjtë me një strateg si De Biasi.
“Futbolli është zhvilluar shumë vitet e fundit, cdo kombëtare ka strategjinë e saj. Shqiptarët kanë ardhur këtu për të marrë një pikë dhe ju siguroj që janë shumë të aftë për ta arritur këtë objektiv. Ata kanë një trajner që u ka dhënë shumë besim dhe kanë patur sukses me stilin e tyre të lojës”.
Presioni në stadiumin e Kopenhagenit do të jetë në anën e danezëve, ndaj Olsen u bën thirrje tifozëve vendas të që të jenë të durueshëm dhe ta përkrahin maksimalisht skuadrën e tyre gjatë gjithë ndeshjes.
“E kemi parë ndaj Serbisë sesa e rëndësishme është mbështetja e publikut. Ne do të bëjmë të pamundurën në fushën e blertë, ndërsa tifozët duhet të jenë të duruar dhe të kuptueshëm. Ne momentet e vështira do të kemi nevojë për përkrahjen e tyre”.
Në Telia Parken të Kopenhagenit, pritet të ketë një numër të konsiderueshëm të tifozëve kuqezi, pasi përvecse në sektorin e caktuar për miqtë, mbështetësit e Shqipërisë kanë blerë bileta edhe në tribunat ku janë parashkuar të akomodohen vendasit./ss/