Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është pritur në takim nga kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.
Takimi po zhvillohet në zyrën e kancelarit Scholz në Berlin të Gjermanisë, njofton Klan Kosova.
Qeveria e Gjermanisë ka njoftuar se në këtë takim pritet të caktohet data e takimeve për Procesin e Berlinit.
“Fokusi i diskutimit të përbashkët do të jetë koordinimi me synimin për rolin e Shqipërisë si mikpritëse në Procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor. Tema të tjera të diskutimit do të jenë çështjet dypalëshe, ekonomike dhe të politikës së jashtme si dhe procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE”.
Takimi i Procesit të Berlinit në Tiranë do të mbahet në fillim të vjeshtës.
Përveç kësaj, Shqipëria do të prezantojë potencialet në turizmin e qëndrueshëm, përmes një axhende të nivelit të lartë në “ITB Berlin 2023”, panairin më të rëndësishëm në botë për turizmin.
Në datat 7-9 mars, përmes një programi të mirëorganizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, nën sloganin “Albania-All you need is here”, promovohen ofertat turistike që synojnë turizmin gjithëvjetor dhe të qëndrueshëm.
Më 7 mars, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro do të priten nga kancelari gjerman Olaf Scholz, për të vijuar me takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashivili në mjediset e ITB Berlin.
Më tej, aktiviteti do të vazhdojë me tryeza pune e takime me përfaqësues të industrisë gjermane të turizmit, donatorë, përfaqësues të sektorit privat dhe konferencë për shtyp për mediat gjermane.
Shqipëria përfaqësohet në këtë panair me stendën e saj zyrtare, ndërsa shumë shoqata dhe turoperatorë shqiptarë marrin pjesë po ashtu.
Gjatë vitit 2022, Shqipëria arriti rekordin historik prej 7.5 milionë vizitorësh të huaj dhe synimi i radhës është turizmi i nivelit të lartë në standarde, i qëndrueshëm dhe gjithëvjetor.