Oksitocina, një hormon që vepron kryesisht si një neuromodulator, mund t’ju dehë në intimitet. Por studimi i ri tregon se ajo gjithashtu mund t’ju kthjellë nga dehja e birrës.
E quajtur shpesh “hormoni i dashurisë” për rolin e saj në nxitjen e sjelljeve të caktuara seksuale dhe riprodhuese, si dhe për çiftëzim afatgjatë, oksitocina gjithashtu e ka një efekt më pak romantik.
Sipas zbulimit të kohëve të fundit të hulumtuesve nga Universiteti australian i Sydneyt dhe Universiteti i Regensburgut në Gjermani, hormoni i bllokon efektet dehëse të alkoolit.
“Në ekuivalentin testues të kthjelltësisë në minj, minjve të cilëve iu dha alkool dhe oksitocinë kaluan shumë mirë, ndërsa atyre që iu dha alkool pa oksitocinë ishin të dëmtuar seriozisht,” tha autori kryesor i studimit, dr. Michael Bowen, studiues në Shkollën e Psikologjisë në Sydney, në një njoftim për shtyp.
Alkooli mbetet në sistemin e miut, por prania e oksitocinës i parandalon efektet intoksikuese nga qasja e receptorëve nën-njësi-delta GABA-A në trurin e miut -duke i anuluar kështu pasojat fiziologjike të alkoolit, si humbja e kontrollit motorik.
Hulumtuesit ende nuk i kanë testuar efektet e kthjellimit hormonal tek njerëzit, por planifikojnë ta bëjnë këtë së shpejti. Megjithatë, eksperimentet e ndara kanë treguar se dozat e rregullta të oksitocinës duket se e reduktojnë konsumin e alkoolit në minjtë laboratorikë dhe njerëzit. Shkencëtarët shpresojnë se ilaçet me përmbajtje të oksitocinës mund të përdoren me sukses për ta trajtuar varësinë nga alkooli.
“Ne besojmë se efektet e oksitocinës në konsumin dhe dëshirën për alkool veprojnë përmes një mekanizmi të ngjashëm në tru me atë të identifikuar në hulumtimin tonë,” tha Bowen.