OKB: Përkeqësohet uria në botë, perspektiva të errëta në 2020

E publikuar: 13/07/2020 21:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një në nëntë qënie njerëzore kanë vuajtur nga mungesa kronike e ushqimit në 2019, një proporcion që pritet të përkeqësohet për shkak të pandemisë COVID-19, sipas një raporti vjetor të OKB, të publikuar sot.

“Sipas vlerësimeve të fundit, uria vitin e kaluar preku rreth 690 milion njerëz, ose 8,9% të popullsisë në botë”, thuhet në një raport të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), rihartuar me ndihmën e Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin e Bujqësisë, UNICEF, Programit Botëror të Ushqimit dhe Organizatës Botërore të Shëndetit.

Rreth 10 milionë persona më shumë se në 2018, dhe 60 milion më shumë se në 2014, raporton ATSh.

“Nëse kjo tendencë vazhdon, vlerësohet se deri në vitin 2030, ky numër do të tejkalojë 840 milionë njerëz. Kjo do të thotë se qëllimi për t’i dhënë fund urisë deri në vitin 2030, i vendosur nga OKB në 2015, nuk është në rrugën e duhur”, theksoi Thibault Meilland, një analist i politikave në FAO.

Dhe kjo ishte pa marrë parasysh tronditjen shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuar nga pandemia e COVID-19, e cila gjeneroi humbje të të ardhurave, rritje të çmimeve të ushqimit dhe ndërprerje të zinxhirëve të furnizimit …

Sipas raportit, recesioni global i shkaktuar nga koronavirusi i ri ka të ngjarë të shkaktojë uri tek 83-132 milionë persona më shumë.