OKB aktivizon nenin 99 pas shumë vitesh për të parandaluar katastrofë humanitare të pakthyeshme n’Gaza

E publikuar: 07/12/2023 12:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sistemi humanitar në Gaza është pranë kolapsit. I nxitur nga një shqetësim i tillë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ndërmerr një lëvizje të rrallë dhe dramatike duke aktivizuar nenin 99 të kartës së OKB-së për të parandaluar një katastrofë humanitare të pakthyeshme në enklavë.

Siç bëri të ditur zëdhënësi i tij Stephane Dujarric, Guterres, i ka dërguar një letër Këshillit të Sigurimit, përmes së cilës i kërkon anëtarëve të veprojnë, duke vënë për herë të parë në përdorim nenin 99 që prej zgjedhjeve në krye të OKB-së.

Ai shpreh alarmin mbi shkallën e humbjeve njerëzore në Gaza dhe Izrael brenda një kohe kaq të shkurtër.

“Është hera e parë që Guterres e ndërmerr një hap të tillë që kur është zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm. Neni 99 thekson se Sekretari i Përgjithshëm mund të sjellë në vëmendje të Këshillit të Sigurisë çdo çështje, që në opinionin e tij, mund të kërcënojë ruajtjen e paqes dhe sigurisë kombëtare.”

Stephane Dujarric – Zëdhënësi i Antonio Guterres

Në letër Guterres i bën thirrje pjesëtarëve të Këshillit të Sigurisë të veprojnë për të parandaluar një katastrofë humanitare dhe bën thirrje për shpalljen e armëpushimit. Guterres parashikon shkatërrim total të rendit publik për shkak të bombardimeve të vazhdueshme izraelite dhe mungesë të furnizimeve jetësore.

Komentet e tij u kritikuan nga ministri i Jashtëm izraelit, Eli Cohen, i cili e quajti qëndrimin e Guterres si rrezik për paqen botërore. Forcat izraelite sakaq, vijojnë ofensivën e egër ushtarake në jug të Gazës, teksa kanë avancuar në zemër të qytetit të Khan Junis, i dyti më i madh në territor.

Ushtria tha se kishte rrethuar banesën e Yahya Sinwar, kreu politik i Hamasit, edhe pse ai nuk duket të jetë atje. Me zgjerimin e luftimeve, qindra mijëra njerëz janë ngjeshur në një zonë të vogël të jugut, duke pamundësuar çdo përpjekje të rëndësishme humanitare. Izraeli, njofton lejimin e furnizimeve minimale të karburantit në Gaza për të shmangur kolapsin humanitar.