Udhëzimi administrativ i vitit 2022 për importin e barnave pa autorizim marketing ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kontrabandës së barnave në Kosovë, ka deklaruar kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës (OFK), Kadri Bytyqi, duke u bazuar edhe në të dhënat dhe raportet e bashkëpunimit me Doganën e Kosovës.
Në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online, Bytyqi ka thënë se kufizimi sasior i barnave pa autorizim marketing ka qenë i gabuar dhe jo logjik, duke theksuar se kërkesa reale e tregut nuk mund të injorohet me vendime administrative.
Bytyqi ka thënë se ky kufizimi pavarësisht kërkesës reale të qytetarëve, ka krijuar mungesa në treg, duke hapur rrugë për kontrabandë dhe rrezik serioz për shëndetin publik,
“Ne sa i përket falsifikimit nuk jemi sepse kemi një memorandum bashkëpunimi me doganën por kemi edhe me AKPM-n një memorandum bashkëpunimi për një problem shumë evident kohët e fundit është kontrabanda me barna në të cilën raportet që kemi në bashkëpunim me doganën na tregojnë që nuk është një situatë shumë e kënaqshme. Kjo situatë ka ndodhur si rezultat i mungesës së disa barnave, pastaj ka qenë një udhëzim i vitit 2022 për barnat pa paralele autorizim marketing i përkohshëm për barna pa paralele e cila e ka kufizuar në sasi importimin e barnave e që ajo ka qenë shumë e gabueshme dhe jo logjike sepse nuk mundet që të kufizohet në sasi qoftë se një bari ka kërkesa për qytetarët, bie fjala 10 mijë copë, ti nuk mund ta kufizosh në 3 mijë copë sepse kërkesa për atë bari është aq dhe disa faktorë të tjerë me rastin e çmimeve. Largimi i disa produkteve nga X kompanitë dhe të tjera kanë bërë që sivjet sipas të dhënave të doganës ka pas një rritje krahasuar me disa vite më parë por edhe me vitin e kaluar të kontrabandës. E kjo si shkak i i udhëzimit administrativ të vitit 2022”, tha ai.
Bytyqi ka bërë thirrje për veprim më të fuqishëm institucional kundër kontrabandës, duke shtuar se barnat pa prejardhje të qartë përbëjnë rrezik serioz për qytetarët.
“Kjo është pika kryesore që mendojmë dhe besojmë që e ka futur në këtë situatë këtë punë. Mirëpo inkurajojmë doganën dhe inspektoratin që punën e tyre ta kryejnë më fortë sa i përket çështjes së kontrabandimit me barna sepse janë produkte të cilat përdoren për shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve. Normal që çdo bari që është pa prejardhje, potencialisht përveç pjesës ilegale të futjes dhe çështjes ilegale sa i përket çështjes ekonomike në raport me shtetin dëmi i tij është më i madh në raport me shëndetin e qytetarit”, tha ai.
Duke folur për rolin e farmacistit, Bytyqi ka vlerësuar se roli i farmacistit në sistemin shëndetësor është thelbësor dhe multidimensional, por ka theksuar mungesën e bashkëpunimit të mirëfilltë institucional, veçanërisht me Ministrinë e Shëndetësisë, për ta vendosur këtë profesion aty ku parashihet me ligj dhe standarde evropiane.
Ai përmendi listën esenciale, rolin e farmacistit klinik në terapi dhe rimodelimin e saj, si dhe rëndësinë e farmacistëve në barnatoret humanitare, të cilat, sipas tij, janë vendimtare në ruajtjen dhe promovimin e shëndetit të qytetarëve.
“Roli është multidimensional, është shumë i rëndësishëm sepse farmacisti është në njërën anë është hallka e fundit e zinxhirit shëndetësor, e në anën tjetër është dera e parë e qasjes së qytetarit në raport me barin. Pra, është aq i rëndësishëm saqë avokimi ynë ka qenë shumë i madh dhe mbetet sepse roli ynë si odë është vetëm avancimi i interesit të farmacistit si profesionistë shëndetësor por nuk kemi hasur në ndonjë bashkëpunim të mirëfilltë nga Ministria e Shëndetësisë sa i përket kësaj gjëje sepse qoftëse farmacistit i jepet roli aty ku duhet të jetë dhe aty ku është precizuar me ligjin për Shëndetësi dhe aty ku e mbarë Bota dhe Evropa synojmë të shkojmë por edhe rajoni ku jetojmë i ka dhënë një rol aq të rëndësishëm saqë do t’i kushtojë shumë më pak ekonomisë së shtetit. Bie fjala për listën esenciale, roli dhe ndikimi i farmacistit klinik në terapinë, në rimodelimin e saj, pastaj edhe roli i farmacistit nëpër barnatore humanitare që janë shumë vendimtar në ruajtjen dhe promovimin e shëndetit të qytetarit”, tha ai.
Duke folur për migrimin e farmacistëve, Bytyqi tha se në sektorin e farmacisë nuk ekziston problem i largimit të profesionistëve nga vendi, duke theksuar se sfida kryesore mbetet ridizajnimi i tërësishëm i sistemit shëndetësor.
Ai theksoi gatishmërinë e Odës për bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe të gjithë akterët relevantë për ta bërë shëndetësinë më të qasshme, më efektive në kosto dhe më cilësore në shërbim.
“Të farmacia nuk qëndron kjo. Migrimi i popullsisë çdo vend në Evropë është. Në farmaci nuk ka këso telashe, që largohen shumë, apo një numër i konsiderueshëm që ne mundemi me pa si problem. Po problemi tek ne është ridizajnimi i tërësishëm i shëndetësisë. Ne duhet së bashku, ne si Odë jemi të gatshëm për bashkëpunim me të gjitha grupet edhe me ministrinë e linjës dhe gjithë akterët dhe faktorët që të bëjmë sa më të qasshme shëndetësinë për qytetarin, sa më efektive, edhe në kosto edhe në shërbim”, tha ai.
Bytyqi bëri të ditur se Oda e Farmacistëve ka miratuar prej kohësh Strategjinë Nacionale për Farmaci, ku janë identifikuar mangësitë dhe janë ofruar alternativa për rolin e farmacistit dhe funksionimin e farmacive.
Ai tha se pas publikimit final, strategjia do të prezantohet publikisht dhe do t’u dërgohet institucioneve përkatëse, duke përfshirë çështje si pronësia e farmacive, shpërndarja gjeografike dhe demografike, si dhe roli i farmacistit në institucionet publike.
“Jemi të gatshëm për bashkëpunim, sidomos me ministrinë e linjës, këtë e kemi treguar e dëshmuar dhe do ta dëshmojmë dhe në të ardhmen. Ne si Odë e Farmacistëve në diskutimin tonë publik për një kohë të gjatë e kemi pasë miratuar edhe strategjinë nacionale për farmaci në të cilën i kemi paraparë të gjitha mangësitë por i kemi dhënë edhe alternativat sesi do të duhej të dukej farmacisti dhe farmacia. Dhe këtë do ta avokojmë dhe do të bashkëpunojmë me të gjithë. Pas publikimit final të strategjisë nacionale të farmacisë ne do të dalim si odë me publikimin e saj edhe në mënyrë publike ku parashihen të gjitha çështjet që e preokupojnë komunitetin tonë, duke filluar nga pronësia e farmacisë, nga shpërndarja e farmacisë në baza gjeografike dhe demografike, nga roli i farmacistit në institucionet publike dhe të tjera të cilat do të jetë në mënyrë të shkruara dhe do t’iu dërgohet institucioneve përkatëse”, tha ai.
Sa i përket pajisjeve dhe produkteve medicinale, Bytyqi tha se përgjegjësia për regjistrimin dhe autorizimin e tyre i takon Agjencisë së Barnave dhe Pajisjeve Medicinale, duke theksuar se barnat e regjistruara duhet të gëzojnë besimin e qytetarëve bazuar në dokumentacionin e kërkuar për autorizim marketingu.
“Për pajisjet dhe produktet përgjegjëse është Agjencia e Barnave për Pajisje dhe Produkte Medicinale dhe këto barna për regjistrim kanë nevojë për një letërnjoftimet ë vetin, pra të marrin marketing autorizim dhe aty kërkohet një dokumentacion shumë i madh dhe besoj se ato që regjistrohen në AKPM ne duhet edhe t’iu besojmë përderisa nuk ka ndonjë efekt që mund të del edhe çdo kund tjetër, duhet t’iu besojmë atyre dokumentacioneve që sjellin kompanitë për regjistrim sepse janë një grup i njerëzve të cilët punojnë me regjistrimin e barnave”, tha ai.


















