Kapiteni i Shqipërisë është ende i pavendosur mbi të ardhmen, mes Gjermanisë, por edhe një oferte faraonike nga pjesëtari i familjes së njohur Al Thani
Lorik Cana është padiskutim një nga shqiptarët më të shumëkërkuar në merkato, duke qenë se tashmë ai ka vendosur të mbyllë aventurën e tij tek Lacio pas katër vjetësh, për të provuar diçka të re, një eksperiencë, pa harruar edhe aspektin ekonomik.
E kështu, nga kontaktet me Shalken, tek sondazhet e Leverkusenit, për të vazhduar më një joshje, vetëm sipërfaqësore për MLS-në (kampionatin amerikan), por edhe sugjestioni për t’u kthyer në “shtëpi”, Marsejë, kapiteni i Shqipërisë është ende i pavendosur.
E ndërsa gjatë kësaj kohe Cana po reflekton jo pak mbi të ardhmen, një ofertë e rëndësishme ka ardhur edhe nga Katari dhe burime pranë “Sport Ekspres” bëjnë me dijë se klubi që ka shfaqur interes është Lekhvija SC, kampione e sezonit të shkuar dhe që ka pronuar Abdullah Al Thani, pjesë e familjes së njohur katariote.
Klub i formuar në vitin 2009, ka ngjitur shumë shpejt shkallët e suksesit dhe ka fituar katër kampine dhe dy kupa.
Investime të rëndësishme janë bërë në këtë klub dhe vazhdojnë që të bëhen. Sigurisht, jemi vetëm në gjuhën e sondazheve, por fakti që Cana i intereson tregon se ata e njohin mjaft mirë cv-në e futbollistit të Kombëtares së Shqipërisë.
1 Mln Euro pati kërkuar Lacio nga kartoni i Canës, por sipas medieve italiane, është gati që ta lërë edhe të lirë, pasi do të kursente një rrogë jo të vogël, prej 1,9 mln eurove në sezon që fiton kapiteni kuqezi./ sportekspres.com/