Prishtina është kthyer në destinacion të diplomatëve perëndimorë, që e kanë përshkrim të punës së tyre këtë pjesë të botës.
Pas Gabriel Escobar, Zëvendës ndihmës i Sekretarit të Shtetit për Çështje Europiane dhe të Eurazisë dhe Përfaqësuesit Special të BE’së Miroslav Lajcak, që qëndruan tri ditë në Kosovë për të shkuar pastaj në Beograd, javën e ardhshme në Kosovë do të udhëtojë Sir Stuart Peach, emisar i Kryeministrit Britanik për Ballkanin Perëndimor.
Ambasada britanike nuk e ka konfirmuar kohën e vizitës së tij, por kanë theksuar se emisari është duke udhëtuar në rajon “për t’i dëgjuar prioritetet dhe brengat e të gjitha palëve”.
Gazeta Express ka kontaktuar të mërkurën ambasadën britanike në Prishtinë për të mësuar më shumë rreth kësaj vizite. Ata nuk e kanë konfirmuar saktë se kur do të udhëtojë emisari i tyre. Por, kanë thënë se ai është duke bërë vizita në të gjitha vendet e rajonit.
“Sir Stuart Peach aktualisht është duke vizituar të gjitha vendet e rajonit për vizitat e parë në kapacitetin e tij të ri, për të dëgjuar nga të gjithë hisedarët nga dora e parë për prioritetet dhe brengat e tyre. Ai nuk planifikon të bëjë ndonjë koment substancial publik në këtë kohë”, kanë thënë të mërkurën nga ambasada britanike.
Stuart Peach ishte emëruar emisar për Ballkanin në dhjetor të vitit të kaluar. Një nga detyrat e tij janë puna me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe palët tjera me qëllim të mbështetjes së dhe forcimit të stabilitetit rajonal. Po ashtu puna e tij përfshin promovimin e institucioneve të forta demokratike dhe shoqërisë së hapur, ndihma për ta trajtuar krimin e organizuar dhe sfida tjera të përbashkëta të sigurisë si dhe inkurajimi për zgjidhjen e çështjes së trashëgimisë së krimeve të luftës dhe personave të zhdukur.
Peach që prej emërimit të tij ka vizituar Bosnjën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që aktualisht është duke qëndruar në Bullgari.
Ofensivë diplomatike e Perëndimit, javën tjetër në Prishtinë vjen emisari britanik
NGA KATEGORIA