OEK nënshkruan Kodin e Bizneseve kundër korrupsionit

E publikuar: 29/03/2024 16:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në përkrahje të luftës kundër korrupsionit dhe për të promovuar një mjedis të drejtë dhe konkurrues, Oda Ekonomike e Kosovës njofton se si institucioni më i rëndësishëm i biznesit në vendin tonë, ka nënshkruar Kodin e Bizneseve kundër Korrupsionit, i lansuar nga USAID me mbështetje të Institutit Riinvest dhe KMI-së.

Me anë të një kumtese për media bëhet e ditur se palët nënshkruese të kësaj marrëveshjeje do të angazhohen që të mbështesin çdo iniciativë që ka për qëllim luftimin e korrupsionit dhe përmirësimin e kushteve të biznesit në Kosovë.

Në një deklaratë të përbashkët, palët e kësaj marrëveshjeje angazhohen që gjatë çdo aktiviteti biznesor të sillen në përputhje me parimet etike dhe ligjore, duke mbështetur konkurrencën e lirë dhe të drejtë në tregun e Kosovës.

“Oda Ekonomike e Kosovës është e gatshme për të bashkëpunuar me të gjitha autoritetet dhe organizatat relevante për të përmirësuar klimën e biznesit në vend dhe për të kontribuar në zhvillimin e një ambienti më të favorshëm për të gjitha kompanitë e sektorit privat në Kosovë”, thuhet tutje në kumtesën për media.