Oda Ekonomike Gjermano Kosovare, dënon ashpër dhe është dukshëm e shqetësuar nga sulmet e ndodhura sot nga disa qytetarët të Republikës së Kosovës kundër bizneseve sllovene në Kosovë.
Sulmet e tilla, janë mesazhi më i keq që mund të dërgohet për të gjitha bizneset e huaja qoftë ato që veprojnë në territorin e Kosovës apo edhe ato që potencialisht mund të jenë pjesë e tregut tonë.
Arrestimi i ish kryeministrit të Kosovës, tash deputet dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është një gabim i rëndë dhe si i tillë duhet të rikuperohet shpejtë nga organet sllovene, por kjo çështje e ndjeshme, nuk duhet të lidhet assesi me bizneset sllovene që operojnë dhe kanë investuar në Kosovë.
Çdo sulm, apo cenim i bërë nga kushdo çoftë ndaj ndërmarrjeve që punojnë në Kosovë, të cilat ndihmojnë shtetin e Kosovës, duke hapur vende pune, duke paguar taksa dhe duke investuar kapitalin e tyre, është tërësisht i papranueshëm.
Oda Ekonomike Gjermano Kosovare, pret nga autoritetet kompetente të vendit, që të identifikojnë sulmuesit dhe ndaj tyre të sillen konform ligjeve në fuqi, për të ju mundësuar operatorëve ekonomik në Kosovë, veprim në ambient të sigurt e të qetë.