Oda Ekonomike e Kosovës dhe ajo Amerikane kundër vendimit të Qeverisë për favorizimin e Telekomit

E publikuar: 04/04/2020 11:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përmes një komunikate të përbashkët për media, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Oda Ekonomike e Kosovës kanë shprehur shqetësimin lidhur me, siç thonë ato, vazhdimin e praktikave të favorizimit të ndërmarrjeve publike, përmes zbatimit të gabueshëm të Ligjit të Prokurimit Publik në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovë.

“Në këtë aspekt Oda Amerikane dhe Oda Ekonomike e Kosovës shprehin shqetësimin e tyre lidhur me vendimin e Qeverisë në detyrë për përjashtim nga fushëveprimi i Ligjit për Prokurim Publik, për shërbimet telekomunikuese që ofron Telekomi i Kosovës si shërbime me rëndësi të veçantë shtetërore, me ç’rast Qeveria në detyrë ka shkelur në mënyrë direkte dispozitat ligjore dhe kushtetuese për trajtimin e barabartë të ndërmarrjeve publike dhe private”, shkruhet në reagimin e këtyre odave.

“Operatorët privat të licencuar kanë të njëjtat të drejta dhe obligime si të gjithë operatorët e tjerë publikë, prandaj në këtë aspekt edhe trajtimi i tyre duhet të jetë jodiskriminues, e kjo rregullohet qartazi edhe me Ligjin për Prokurim Publik i cili i detyron autoritetet kontraktuese të trajtojnë në mënyrë të barabartë të gjithë operatorët ekonomikë dhe ua ndalon atyre të kryejnë ndonjë aktivitet që e zvogëlon, e aq më tepër e eliminon konkurrencën e lirë. E shkelja e parimeve të konkurrencës së lirë tashmë është konfirmuar edhe nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës”, thuhet tutje në reagim.

Sipas Odës Ekonomike Amerikane dhe asaj të Kosovës, “Praktika e vazhdueshme e keqinterpretimit të nenit 9.4 të Ligjit për Prokurim Publik ka cenuar operacionet e operatorëve privatë duke dëmtuar ata financiarisht e duke rrezikuar me këtë edhe ekzistencën e tyre, duke përcjellë me këtë edhe një porosi të keqe për investitorët e huaj”.

Këto dy oda kanë rikujtuar se operatorët privatë përmes investimeve kanë ndikuar në krijimin e vendeve të reja të punës si dhe për ofrimin e shërbimeve cilësore.

“Prandaj duke i rikujtuar institucionet edhe për obligimin e tyre për respektim të dispozitave kushtetuese dhe ligjore, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Oda Ekonomike e Kosovës kërkojnë shfuqizimin e vendimit në fjalë, duke u përmbajtur në të ardhmen nga vendime të cilat favorizojnë ndërmarrje të caktuara pavarësisht”, përfundon reagimi.

Të premten, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës i datës 02.04.2020 nr. 05/21 me të cilin përjashton Ligjin e Prokurimit Publik për shërbimet telekomunikuese që ofron Telekomi i Kosovës, si shërbime me rëndësi të veçanta shtetërore, mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Image

Vendimi i Qeverisë