Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruairi O’Connell, ka tërhequr vërejtjen se korrupsioni dhe nepotizmi mbesin probleme serioze në Kosovë.
Ai këto komente i bëri pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Britanisë së Madhe lidhur me rekrutimin e pozitave të larta drejtuese.
Diplomati britanik tha se Kosova nuk përparon me njerëz jo profesional, pasi që ata punojnë për të avancuar qëllimet e shefave të tyre.
“Korrupsioni dhe nepotizmi, mbesin probleme serioze për Kosovën. Shpërfaqja më e mirë e këtyre dukurive janë rastet e emërimeve publike të njerëzve jo profesional, të cilët nuk janë aty për të ndihmuar agjencionin, por për të avancuar qëllimet e shefave të tyre. Të arriturat e tyre të gjithë e dimë. Me njerëz të tillë nuk përparon Kosova. Në fakt, Kosova duhet të çlirohet nga njerëzit e tillë. Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar kanë interes të përbashkët që Kosova të jetë vend i sigurt, i prosperuar dhe zhvilluar ekonomikisht e politikisht. Që Kosova të ecë përpara ju keni nevojë për njerëz të mirë, të aftë dhe të pavarur në institucionet publike. Kjo është arsyeja për të cilin ne e filluam projektin e rekrutimit”, tha ai.
“Bordet e ndërmarrjeve publike, kryeshefa ekzekutiv apo sekretar permanent emërohen pa ndonjë proces të mirëfillta regrutimi. Apo me vetëm 15 minuta intervistë sa për sy e faqe. Gjatë vitit të kaluar projekti pati fillim të ngadalshëm. Nga tetë procese të rekrutimit të zhvilluara përmes ndihmës nga projekti jonë, institucionet e Kosovës përmbyllën me sukses dy emërime. Drejtorin e doganave dhe kryeshefin ekzekutiv të Agjencisë së Punësimit, të cilët u përzgjodhën në bazë të meritës. Mirëpo, me një lule nuk çel pranvera. Mua më vjen shumë mirë që kryeministri dhe partnerët e koalicionit kanë vendos të vazhdojnë këtë projekt. Siç i kam thënë edhe herën e kaluar, projekti jonë konsiston me mbështetjen e dhënë paneleve rekrutuese për përzgjedhjen e kandidatëve më të mirë në bazë të meritave përmes proceseve profesionale dhe transparente. Emërimi final i personave nëpër pozita i takon Kosovës”, tha ai.


















