Obiliqasit mirëpresin ligjin që i trajton si të rrezikuar

E publikuar: 30/09/2015 20:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Halil Prenku ka 25 vjet që banon në qytetin e Obiliqit.

I rrethuar në një ambient ku tymi i oxhaqeve të termocentraleve të KEK-ut nuk pushon asnjëherë, për Prenkun përgjatë këtyre viteve, jetesa ka qenë mjaft e vështirë, raporton KohaVision.

Ai thotë se një ligj që sado pak do t’u ndryshonte jetesën, është i nevojshëm për këtë qytet.

Se Komuna e Obiliqit meriton trajtim të veçantë, mendon edhe kreu i Kuvendit të Kosovës. Edhe kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, pohon se një ligj i tillë është tejet i nevojshëm.

Ata që pritet të përfitojnë nga ky ligj, kërkojnë që ai të miratohen sa më shpejt.

Obiliqi mbetet një ndër komunat me mjedisin më të ndotur në vend, derisa Projektligji për të pati filluar në legjislaturën e kaluar të kuvendit, por ka mbetur pa u drejtuar për lexim të dytë.

Në bazë të këtij ligji, Obiliqi përcaktohet si zonë e veçantë me rrezik mjedisor, përcjell koha.net. Derisa neni 9 i projektligjit thotë se Qeveria do të ndajë grant të përhershëm për këtë komunë.

Nëse aprovohet ligji në fjalë, banorët do të paguajnë energjinë elektrike me një çmim më të lirë.