Obama kërkon uljen e tensioneve midis Turqisë e Rusisë

E publikuar: 01/12/2015 14:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, u ka bërë thirrje Turqisë dhe Rusisë që të ulin tensionet, të krijuara pas rrëzimit të një avioni ushtarak rus nga forcat turke, më 24 nëntor.

Obama i ka bërë këto komente pas bisedimeve me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, në margjina të një samiti për klimën në Paris.

Obama ka thënë se “Shtetet e Bashkuara mbështesin të drejtën e Turqisë për të mbrojtur veten” dhe se grupi militant Shteti Islamik është armiku ku duhet të përqendrohen të gjitha palët.

Turqia ka thënë se avionët e saj F-16 kanë rrëzuar avionin rus Su-24 pasi ky i fundit ka hyrë në hapësirën ajrore të Turqisë.

Forcat turke kanë thënë se i kanë bërë dhjetë paralajmërime avionit rus përpara se e kanë rrëzuar.

Rusia këmbëngul se avioni ka qenë duke fluturuar mbi Siri.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se Turqia ka rrëzuar avionin sepse do që të mbrojë furnizimet me naftë nga Shteti Islamik.

Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, ka thënë sot se këto janë pretendime “të pabaza”.

Lexoni edhe këtë:

A mund të bëjnë kompromis Putini dhe Erdogani?