Presidenti ametikan, Barack Obama, sot e ka lavdëruar diversitetin në Shtetet e Bashkuara dhe u ka bërë thirrje amerikanëve që të mos përçahen nga armiqtë e tyre, derisa ka folur në ceremoninë e përkujtimit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Pentagon.
Në 15 vjetorin e sulmeve më vdekjeprurëse terroriste në tokën e Shteteve të Bashkuara, zoti Obama ka theksuar se vendi kurrë nuk do t’i harroj ata që u vranë në sulmet më 11 shtator 2001 dhe se është i inspiruar nga qëndrueshmëria e familjeve të viktimave.
Sulmet më 11 shtator 2001, në të cilat 19 terroristë të al-Kaidës i rrëmbyen katër aeroplanë komercialë, ishin sulmet më vdekjeprurëse terroriste në tokën amerikane. Me këtë rast u vranë afro 3 mijë vetë.
Këto sulme çuan në invadimin e Afganstanit nga ana e Shteteve të Bashkuara, e më vonë edhe të Irakut. Të dy vendet, edhe pas 15 viteve, ende janë të përfshira nga kryengritjet, terrorizmi dhe lufta.
Në Memorialin Ground Zero, afër vendit ku është rindërtuar Qendra Tregtare Botërore në Nju Jork, janë lexuar emrat e të vrarëve, transmeton rel.
Ka pasur edhe ceremoni përkujtimore në Pensilvani, ku kanë marrë pjesë qindra vetë. Në këtë lokalitet është rrëzuar njëri nga aeroplanët e rrëmbyer, pasi udhëtarët i mbizotëruan terroristën brenda në aeroplan.