Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka ngritur shqetësimin për gjendjen e vështirë të krijuar në vend si pasojë e mungesës së ndihmës së shtetit dhe mostrajtimin e barabartë të punëtorëve në sektorin privat dhe publik.
Kështu është thënë në konferencën për media të Odës së Afarizmit të Kosovës me temën “Shkelja e të drejtave kushtetuese të qytetarëve dhe bizneseve”.
Diellza Zeqiri, zyrtare ligjore në OAK, ka thënë se që nga fillimi i pandemisë COVID-19, shteti i Kosovës ka privilegjuar punëtorët e sektorit publik, derisa ka diskriminuar ata të sektorit privat.
Zeqiri tha se shteti ka ndarë vetëm dy paga nga 170 euro për punëtorët e sektorit privat, derisa punonjësit e sektorit publik kanë marrë vazhdimisht pagat, duke mos i ndierë kështu efektet negative të pandemisë.
“Rasti kur njëri nga prindërit ka punuar në sektorin publik, ka qenë e lehtë, pasi ky sektor gjatë gjithë kohës ka marrë pagat e plota edhe në këto raste kur njëri nga prindërit është dashur të qëndroj në shtëpi për mbikëqyrje të fëmijëve. Mirëpo, në rastet kur të dy prindërit kanë punuar në sektorin privat, kjo ka qenë një problematikë për arsye se shteti nuk ka menduar për këta qytetarë. Në këtë kohë të pandemisë ka qenë mjaft e vështirë për bizneset të japin paga për punëtorët në përgjithësi e posaçërisht për punëtorët, të cilët është dashur të lirohen nga puna. Sikur në shumë raste, edhe në këtë rast, shteti nuk ka menduar për të punësuarit e sektorit privat, ndërsa duke i trajtuar si të privilegjuar punëtorët e sektorit publik dhe diskriminuar punëtorët e sektorit privat”, tha Zeqiri.
Zeqiri ka ngritur shqetësimin edhe për mbylljen e banjave, e më vonë edhe kufizimin e veprimtarisë së tyre nga Ministria e Shëndetësisë. Për këtë OAK kërkon nga Qeveria e Kosovës të respektohet Kushtetuta në trajtimin e barabartë të qytetarëve në këtë kohë.
“Që nga muaji mars, nga fillimi i rasteve të para me COVID-19, u është ndaluar ushtrimi i veprimtarisë së banjave ku nga tri banja me mbi 1 mijë punëtorë, shumica prej tyre si doktorë specialistë, infermierë, staf teknik, të njëjtit kanë qenë të papunë deri më 8 të këtij muaji, por pas presionit të vazhdueshëm nga Oda e Afarizmit të Kosovës, me vendim të Ministrisë së shëndetësisë urdhërohet të punojnë me 40 për qind të kapaciteteve ekzistuese. Ndërsa, qytetarët gjatë kësaj kohe, në pamundësi t’i marrin këto shërbime në Kosovë, të njëjtit u janë drejtuar qendrave rajonale si në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi”, tha Zeqiri.
Fjolla Smaili, zëdhënëse për media në OAK, tha se si pasojë e pandemisë, rreth 40 për qind e ndërmarrjeve janë mbyllur tërësisht, derisa mbi 60 për qind e ndërmarrjeve të anketuara besojnë se COVID-19 rrezikon mbijetesën e tyre.
Ajo tha se nga një analizë e bërë nga OAK del se sektorët më të rrezikuar janë sektori i prodhimtarisë, përcjellë nga HORECA hoteleri, restorant, kafiteri, sektori i ndërtimtarisë, sektori i shitjes me pakicë dhe tregtia e me shumicë.
“Rëniet e shitjes gjatë kohës së pandemisë rezultojnë të jenë në korrelacion të drejtpërdrejtë me aftësinë e ushtrimit të veprimtarisë nga ana e bizneseve. Sipas këtij hulumtimi, del se 83.6 për qind e ndërmarrjeve shprehen se kriza ka zvogëluar aftësinë e tyre punuese, me ç’rast 39 për qind e ndërmarrjeve janë mbyllur tërësisht, 30.7 për qind punojnë me kapacitet të reduktuar, ndërsa 13.8 për qind punojnë me orar të shkurtuar. Vetëm rreth 2 për qind e ndërmarrjeve rezultojnë të mos jenë afektuar aspak, ndërsa pjesa tjetër kanë organizuar një pjesë ose të gjitha aktivitetet nga shtëpia”, tha Smaili.
Sipas saj, nga hulumtimet që janë bërë nga Këshilli Evropian del se ekonomia e vendit është dëmtuar jashtëzakonisht shumë.
Gjetjet tregojnë se më të rrezikuarat ndihen ndërmarrjet mikro dhe ato të vogla me mbi 65 për qind të tyre që janë deklaruar se u rrezikohet mbijetesa, derisa 44.8 për qind e ndërmarrjeve të mesme dhe 40 për qind e ndërmarrjeve të mëdha besojnë se pandemia rrezikon mbijetesën e biznesit të tyre.
Sipas të dhënave të OAK-ut, numri i punëtorëve të larguar nga puna sillet rreth 30 mijë dhe nëse nuk do të ketë përkrahje të duhur të shtetit gjatë muajve në vijim, kjo shifër mund të arrijë deri në 50 mijë apo 70 mijë qytetarë të papunë./I. Shabani/