
Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) ka shprehur shqetësim të thellë dhe ka reaguar ashpër ndaj një kërkese të Departamentit të Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës së Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), e cila kërkon që një numër i madh avokatësh të dorëzojnë të dhëna të ndjeshme brenda një afati të shkurtër.
Kërkesa përfshin informata konfidenciale për klientët, bashkëpunimet me sektorin publik dhe privat, si dhe pasqyrat financiare për periudhën 2019–2024.
Përmes një reagimi publik, OAK e ka cilësuar këtë kërkesë si të papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës.
Po ashtu, theksuan se kërkesa përbën një “veprim arbitrar dhe të paarsyetuar ligjërisht,” duke e krahasuar atë më shumë me një “gjueti shtrigash” se sa me një procedurë tatimore të mbështetur në ligj.
“Avokatët nuk janë mbi ligjin dhe nuk kërkojnë një trajtim të tillë. Ajo që kërkojmë është siguri juridike, trajtim dinjitoz dhe respekt për rolin tonë në sistemin e drejtësisë,” thuhet tutje në reagim.