Oda e Afarizmit të Kosovës pas vendosjes së disa Komunave të Kosovës në karantinë thekson se ka pranuar shqetësime nga bizneset për pamundësi të kryerjes së punëve të përditshme në shërbim të qytetarëve.
OAK njofton se me këtë rast i është drejtuar me një kërkesë Ministres së Ekonomisë dhe institucioneve tjera relevante për këtë problematikë.
“Pas vendosjes në karantinë të këtyre vendeve një numër i bizneseve kanë shprehur shqetësim që nuk po i’u lejohet hyrja në vendet e vendosuara në karantinë me veturat personale por iu kërkohet që të lëvizin me veturat e biznesit. Meqenëse disa biznese nuk posedojnë numër të madh të veturave të tilla, atyre nuk po iu lejohet hyrja në vendet e karantinuara që të procedojnë me punët e tyre me makina private”.
Oda e Afarizmit të Kosovës në letrën e saj ka kërkuar që të gjendet një mënyrë që të lejohen këta punëtorë që të shkojnë në punë me një dëshmi në letër që janë punëtorë të po atij biznesi të cilit i lejohet veprimtaria, dhe të mos obligohen të kalojnë vetëm me veturat e kompanisë së tyre, transmeton Klan Kosova.