OAK kërkon nga Kurti shtyrjen e vendimit për kufizime

E publikuar: 19/08/2021 17:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) kërkon nga Kryeministri Kurti që të shtyhet vendimi i ngutshëm i Qeverisë së Kosovës për kufizime nga dita e nesërme. Ç’do vendim që merret duhet të paraprihet me përkrahje financiare për humbjet që i shkaktohen bizneseve dhe përkrahje për punëtorët që mbesin pa punë si pasojë e vendimit të Qeverisë, thuhet në letrën e dërguar Kryeministrit Kurti.
OAK ka kërkuar që hyrja në fuqi e Vendimit lidhur me masat e reja të shtyhet së paku deri me datën 15 Shtator 2021, në mënyrë që si qytetarët ashtu edhe bizneset të kenë mundësi dhe hapësirë kohore të parapërgatiten për këto ndryshime.Ndryshimet e menjëhershme qoftë në hapje totale apo tani në mbyllje të menjëhershme, po cilësohen shumë të dëmshme në aspektin biznesor, duke shkaktuar kështu humbje dhe vështirësi në menaxhim të stoqeve dhe furnizimeve, thekson në letrën e saj OAK.Bizneset në përgjithësi, e veçanërisht sektori i Horeca-së, me rastin e lirimit të masave kanë bërë furnizimet e nevojshme për ushtrim të veprimtarisë së tyre ekonomike, andaj OAK ka kërkuar që masat shtrënguese të jenë graduale, meqenëse bizneset nuk janë të gatshme të përballojnë të vetme tërë këtë situatë. OAK rithekson që cdo vendim për mbyllje duhet të shoqërohet me përkrahje financiare, në të kundërt do të ketë humbje të vendeve të punës, jo nga dëshira por nga detyrimi.OAK konsideron që shtimi i masave dhe respektimi i rregullave gjatë gjithë kohës është i domosdoshëm me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, mirëpo duhet të gjinden mënyra për subvencionimin e kompanive. Ndalesat që po bëhen në periudhë shumë të shkurtër, duke mos pasur hapësirë dhe kohë për përgatitje, po e dëmtojnë shumë gjendjen e bizneseve edhe ashtu të rënduar si rezultat i pandemisë Covid – 19, duke shtuar që për shkak të mospërkrahjes financiare bizneset e kanë të pamundur që të mbajnë në punë numrin e të punësuarve që kanë pasur deri më tani, thuhet në letrën e OAK-së.Po ashtu, OAK ka kërkuar që orari në qendrat e vaksinimit të zgjatet, dhe të funksionojnë edhe gjatë ditëve të vikendit, me qëllim që të kemi sa më shumë persona të vaksinuar. Ku kjo kërkesë ka ardhur si rrjedhojë e ankesave të shumta që OAK ka pranuar nga bizneset anëtare në gjithë Kosovën, për vështirësitë që po hasin kohët e fundit për vaksinim.Kujtojmë që nga shifrat e publikuara në ëeb faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, aktualisht në Kosovë janë vetëm 221,026 persona që kanë marrë të dy dozat e vaksinës, ndërsa me dozën e parë janë vaksinuar vetëm 423,186 persona. Andaj, bazuar në këto shifra, do të thotë që kemi një numër jo shumë të madh të popullsisë së vaksinuar në krahasim me numrin e përgjithshëm.