OAK falënderon MBPZHR-në për zgjidhjen e një problemi

E publikuar: 24/06/2020 19:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) falënderon Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Besian Mustafa për plotësim ndryshimin e Udhëzimit Administrativ (MBPZHR) – NR. 01 / 2020, për ndryshimin dhe plotësimin e udhëzimit administrativ nr. 10/2010 për ndryshimin dhe plotësimin e udhëzimit administrative Nr. 41/2006 për ndërrimin e destinimit të tokës bujqësore duke kërkuar që edhe këto të ndryshohen më mirë në interes të zhvillimit të vendit.

“Me këtë iniciativë, kufizimi i hapësirës prej 5 ha rritet në deri 20 ha si dhe kufizimi i kohëzgjatjes së licencave nga 5 vite rritet në përputhje me licencat e lëshuara nga KPMM”, thuhet në njoftimin e OAK-së.

Po ashtu, OAK-ja kërkon nga MBPZHR që të procedojë sa më parë në Parlament Projektligjin për Pyje i cili do të kontribuonte në eleminimin edhe të barrierave të tjera të cilat hasin bizneset e këtyre sektorëve gjatë operimit të tyre.

OAK-ja kërkon edhe uljen e kostos së qirasë prej 2000 euro për ha në vit, që, sipas tyre, është shumë e lartë si dhe rregullimin e çështjes që mos të bëhen dy sigurime për të njejtën sipërfaqe, pasiqë momentalisht bizneset detyrohen të paguajnë sigurimin në APK dhe në KPMM, dhe pasiqë nxjerrja e dy garancioneve të ndryshme bankare krijon shpenzime të dyfishta dhe të pa nevojshme për operatorët ekonomike.

OAK thekson që së bashku me bizneset ka lobuar dhe është duke lobuar vazhdimisht në ndryshim plotësimin e udhëzimeve administrative, të cilat, thuhet në njoftim, ka më shumë se 10 vite që janë duke i dëmtuar bizneset e sektorit të bujqësisë, blegtorisë, minierave, turizmit dhe investimeve.

“OAK do të lobojë vazhdimisht për propozimin e alternativave për zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohen bizneset dhe në mënyrë që bashkarisht të tejkalohen barrierat të cilat hasin operatorët ekonomik”, thuhet në njoftimin e Odës së Afarizmit të Kosovës.