Gjendja ime sa vjen e përkeqësohet çdo vit, duhet me kuptue se nuk kam zgjedhje. Nëse nuk e provoj këtë mundësi, fati im edhe ashtu asht i përcaktuem, – pohon për mediat ruse Valeri Spiridonov, nji programues informatike 30 vjeç nga qyteti Vladimir, tu’ shpjegue arsyet pse asht ofrue si kavie për transplantin e parë të kokës në nji trup tjetër, nji mundësi e shpallun dy vjet ma parë nga kirurgu kontrovers torinez, Sergio Canavero.
Spiridonov vuen nga smundje e pashërueshme, atrofia kurrizore muskulare (smundja e Werdnig-Hoffmann), që e detyron me ndejtë në nji karrige me rrota qysh se ishte 1 vjeç, tu’ ia mohue jetën normale nga pikëpamja e lëvizjes.
Tue pa gjendjen e tij të përkeqësueme, i riu e ka kontaktue vetë kirurgun nëpërmjet Skype, për me nisë me râ dakord mbi procedurat e nji ndërhymjeje, që shumica e komunitetit shkencor e quen pas kurrfarë mundësie suksesi apo edhe nji marri e doktor Frankenstein’it, pa konsiderue vërejtjet etike të shoqnisë dhe Kishës. Por Spiridonov nuk e sheh kështu.
Jam shumë i interesuem për teknologjinë e për gjithçka që mundet me ua përmirësue jetën njerëzve, – ka thanë ai për gazetarët. Kjo s’asht veç nji mundësi e shkëlqyeme për mue, por ka me krijue edhe nji bazë shkencore për brezat e ardhshëm, pamvarsisht prej rezultatit, – tha 30-vjeçari.
Mundësitë që kjo ndërhymje me dalë me sukses – edhe ai vetë e pranon – “janë 1 në 17 mijë” me kushtin që me pasë 100% përputhje të gjakut dhe të indeve me dhuruesin. Por vendimi im asht përfundimtar, – shpreh bindjen e tij Spiridonov. A kam frikë? Sigurisht që po. Por s’asht veç e tutshme, asht edhe shumë interesante. Vetoja morale e Kishës nuk e shqetëson. Jam materialist e nuk besoj n’Zot. Por edhe nëse kishte me egzistue, mendoj se kishte me dashtë vetëm t’mirën e njeriut, atëherë pse nuk mundem me mendue se ndihem i lumtun në këtë mënyrë?
E ama, Viktoria, jo vetëm që e miraton, por asht edhe e kënaqun me vendimin e djalit.
Nga ana tjetër, kirurgu Canavero e ka krahasue operacionin me eksplorimin e hapsinës. Bashkimi Sovjetik ka çue Iuri Gagarini’n në hapsinë, pamvarsisht mundësive të dukshme që ai me vdekë. SHBA ka çua Neil Amstrong’un n’Hanë pamvarsisht mundësive që ai me vdekë. Kështu që mundësitë janë ashtu-ashtu.
Për ndërhymjen, në krah të Canavero’s janë të domosdoshëm qinda kirurgë, 36 orë në sallën e operacionit e mbi 11 milionë dollarë. Procedura, e quejtun prej tij Heaven [shkurtim i head anastomosis venture – sipërmarrja anastomosike e kresë (anastomosike: lidhja me anë të ndërhymjes kirurgjikale e dy strukturave)], parasheh ftohjen e kokës dhe trupit të dhuruesit për me zgjatë periudhën e mbijetesës së qelizave. Mandej, simbas Canavero’s, priten muskujt përreth qafës (si të dhuruesit ashtu edhe të marrësit) dhe nëpërmjet tubave të hollë, lidhen majat e enëve të gjakut (e ashtuquajtuna anastomozi vaskulare, nji teknikë efektivisht e konsolidueme prej kohësh), si dhe lidhja e nervave.
Zhvendosja e kresë nga njani trup te tjetri asht pjesa ma e vështirë, sidomos sa i takon lidhjes së palcës kurrizore. Për me ia dalë, Canavero ka ndër mend me spërkatë zonën me glikol polietilen, nji lloj ngjitësi biologjik që duhet me realizue ngjitjen e cipave qelizore të dhuruesit me marrësin. Kështu, pacienti duhet me u mbajtë në gjendje kome farmakologjike për nji muej që me evitue çfarëdo lëvizjeje dhe ka me u trajtue me imunosopresor (shtypës) për me ndalue të vjellat.
Fjala asht për ndërhymjen ma unike në botë, mbas përpjekjeve të para për transplantimin e kokës te majmunët, rreth 45 vjet ma parë. Epo edhe ajo që quhej e pamundun, apo fantazi e pastër në t’kaluemen u ba realitet: nga transplanti i parë i zemrës në vitin 1967 deri te ai i krejt gjymtyrëve, si ai i krejt dorës, i kryem në vitin 1998 në Francë e deri te transplanti i plotë i fytyrës i bamë në Spanjë 5 vjet ma parë.
Sergio Canavero e publikoi teorinë e tij në vitin 2015 në revistën “New Scientist”, derisa ndër intervistat e shumta për median botnore, premtoi se realizimi i operacionit ka me qenë i mundun mbas dy vjetësh.
A ka me e futë vullnetari Spiridonov kirurgun italian Canavero në historinë e shkencës dhe të botës?/rrokum.tv/