Një incident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në Han të Elezit, ku një mur mbrojtës është shembur papritur dhe ka rënë mbi një veturë, duke lënë të bllokuar shoferin, një 16-vjeçar.
Lajmin për IndeksOnline e ka konfirmuar zëdhënës polici për rajonin e Ferizaj, Kanun Veseli ku bëri të ditur se në veturë ndodhej vetëm shoferi.
Menjëherë pas njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e Emergjencës dhe të Zjarrfikësve nga Hani i Elezit, të cilët kanë nisur ndërhyrjen për nxjerrjen e personit të bllokuar. Shoferi ka qenë me vetëdije, por i ngujuar brenda veturës nën rrënoja.
Në lidhje me rastin është njoftuar edhe Njësia e Hetimeve e stacionit policor në Han të Elezit.
“Rreth orës 22:00, njësia e zjarrfikësve ka arritur ta nxjerrë nga vetura 16-vjeçarin, i cili kishte pësuar lëndime trupore, por ka qenë me vetëdije. I njëjti është dërguar nga njësia emergjente për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente të Hanit të Elezit”, ka bërë të ditur Veseli.

















