Një incident i rëndë dyshohet të ketë ndodhur më 17 dhjetor 2025 në shkollën e mesme “Shaban Hashani” në Ferizaj, ku një nxënës 15-vjeçar raportohet të jetë përfshirë në përleshje fizike me profesorin e Edukatës Fizike, duke çuar deri te ndërhyrja e Policisë së Kosovës.
Sipas nxënësve, konflikti nisi gjatë orës mësimore në oborrin e shkollës, pas një mosmarrëveshjeje për uniformën, dhe eskaloi në dhunë. Ata pretendojnë se nxënësi ka përdorur mjete të forta, ndërsa policia konfirmon se tek 15-vjeçari është gjetur edhe një thikë, megjithëse nuk ka pasur të lënduar me armë të ftohtë, raporton Kiks Kosova.
Policia ka bërë të ditur se rasti është regjistruar si “lëndim i lehtë trupor” dhe është proceduar me kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Ferizajt.
Burime të Kiks Kosovës bëjnë të ditur se kallëzim penal është ngritur për të dy palët.
Profesori i Edukatës Fizike ka deklaruar se nxënësi po e pengonte zhvillimin e mësimit dhe ishte sjellë vazhdimisht në mënyrë provokuese.
Ai ka deklaruar se ishte sulmuar me gur pastaj kishte pasur tentim edhe me thikë, si rrjedhojë ai kishte reaguar nga frika ndaj nxënësit, duke mohuar se kishte qëllim ushtrimin e dhunës.
Nga ana tjetër, nëna e 15-vjeçarit pranon se djali ka gabuar, por thekson se dhuna ndaj një fëmije nuk mund të justifikohet. Ajo thotë se djali është hiperaktiv dhe ka nevojë për trajtim pedagogjik, jo ndëshkim fizik. Sipas saj, djali është ndjerë i poshtëruar para bashkëmoshatarëve dhe reagimi i tij ka qenë i pamenduar.
Nxënësi aktualisht nuk po vijon mësimin, ndërsa Drejtoria Komunale e Arsimit ka bërë të ditur se do të merren masa që ai të mos mbetet jashtë sistemit arsimor.


















