Nuland ka nisur një vizitë zyrtare në rajon, që përfshin Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë.
Shtetet e Bashkuara mbështesin një Ballkan të lirë dhe të begatë, por vendet e rajonit duhet të varrosin përgjithmonë urrejtjen, kriminalitetin, lakminë dhe despotizmin, është mesazhi i ndihmës-sekretares amerikane të shtetit, Victoria Nuland, që e dha nga Dubrovniku i Kroacisë, ku mori pjesë në forumin “Croatia 2015”.
Nuland ka nisur një vizitë zyrtare në rajon, që përfshin Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë.
Ajo vlerësoi se korrupsioni është pengesa kryesore e përparimit në Ballkan që krijon dobësi që mund të shfrytëzohen nga autokratët dhe ekstremistët e dhunshëm.
“Ai është kancer që shtrydh fuqinë e demokracive tona dhe çon në papunësi dhe trazira”, tha ndër të tjera Nuland.
Fjalimin e saj të plotë mund ta lexoni më poshtë:
“Ndërsa po qëndrojmë në këtë parajsë të Dalmacisë, është vështirë të besohet se sa larg ka ecur i gjithë rajoni. Vetëm 20 vjet më parë, afro mbi 300 kilometra prej këndej, po ndodhte tragjedia e Srebrenicës dhe bota qëndronte e shikonte. Ne do të nderojmë viktimat dhe do të kujtojmë çmimin e tmerrshëm të një Evrope të ndarë. Por, ne duhet të bëjmë më shumë se kaq. Përkujtimi nuk mjafton. Ne ua kemi borxh atyre që humbën jetën në luftërat në Ballkan që të sigurohemi se historia nuk do të përsëritet, se do të varrosim njëherë e përgjithmonë, urrejtjen, kriminalitetin, lakminë dhe despotizmin që kishte lulëzuar këtu dhe ta ndërtojmë një Ballkan të lirë, të begatë e në paqe.
Sot dua të ftoj udhëheqësit dhe qytetarët e këtij rajoni që ta përmbyllin këtë punë dhe të përballen me forcat që synojnë prapakthimin e përparimit që keni arritur. Kjo do të kërkojë që udhëheqësit e Ballkanit të bëjnë tri gjëra: e para, të përmbyllin hartën demokratike të këtij rajoni duke mbyllur përfundimisht faqen e urrejtjeve të vjetra dhe rivaliteteve të reja; e dyta, fillimin e përparimit dhe zhvillimit duke lidhur vendet e rajonit me rrugë të reja, hekurudha, porte dhe infrastrukturë energjetike: dhe e treta, të bashkojnë forcat për ta bërë Ballkanin një zonë të ndaluar për kërcënimet e sotme më të dëmshme për shtetësinë dhe liritë individuale: ekstremizmin e dhunshëm, korrupsionin dhe kriminalitetin, dhe autokratët e oligarkët e ligë që vijnë me dhurata për të promovuar interesat e tyre dhe jo tuajat. Dhe derisa t’iu përvisheni këtyre çështjeve së bashku, Shtetet e Bashkuara dhe pjesa tjetër e komunitetit Trans-Atlantik do të qëndrojnë përkrah jush.
Të fillojmë me hartën demokratike. Vendet e këtij rajoni kanë shënuar përparim të madh. Sot, tri vende të Ballkanit perëndimorë janë shtete anëtare të NATO-s, dy janë anëtare të BE-së, katër kanë marrëveshje të stabilizim asocimit me BE-në, një është në rrugë drejt saj dhe tri vende tjera aspirojnë të bashkohen me NATO-n. Dhe prap, me gjithë tërë këtë përparim në këtë rajon, ende shumë kohë humbet me grindje në vend të ndërtimit. Të marrim Bosnjën dhe Hercegovinën. Njëzet vjet pas Daytonit, është e pafalshme që uniteti i shtetit ende vihet në pikëpyetje publikisht nga ata që duan të bllokojnë reformat dhe të rrezikojnë ndihmën e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Bashkimi Evropian i ka ofruar Bosnjës dhe Hercegovinës perspektivë të aderimit dhe muajin e kaluar ka aktivizuar marrëveshjen e stabilizim asocimit, por politikanët vazhdojnë të vënë interesat etnike dhe partiake para reformave themelore sociale, ekonomike e politike të nevojshme për të përparuar. Shtetet e Bashkuara u janë bashkuar BE-së, FMN-së dhe Bankës Botërore në nxitjen e udhëheqësve të Bosnjës dhe Hercegovinës të marrin vendimet për reforma tani, ose të rrezikojnë që mbeten prapa edhe për 20 vjet të tjera.
Mesazhi ynë për Maqedoninë është po ashtu i fortë: çdo mundësi për unitet dhe përparim po ju pret, anëtarësimi në NATO dhe BE, po ju pret. Por, forcat kryesore politike duhet t’u japin fund grindjeve dhe të ecin në rrugën e ravijëzuar nga komisionari i BE-së Johannes Hahn me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe pastaj të ecin drejt zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë, Sërish, mos e humbni këtë moment. Ndërkohë, me udhëheqjen e fortë dhe me durim të përfaqësueses së lartë të BE-së Federica Mogherini, Kosova dhe Serbia po bëjnë përparim në shërimin e plagëve të së kaluarës dhe arritjen e marrëveshjeve për të jetuar si fqinjë të mirë. Por, puna është larg të qenit e përfunduar. Ne duam që viti 2015 të jetë periudhë e avancimit të bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit, në mënyrë që BE-ja të hap kapitujt e negociatave me Serbinë dhe të nënshkruajë marrëveshjen e stabilizim asocimit me Kosovën. Por, kjo kërkon vendime kurajoze në Prishtinë dhe Beograd. Shfrytëzojeni këtë moment dhe në do të ndihmojmë.
Nuk janë vetëm qeveritë ato që duhet të veprojnë. Shoqëria civile, media e pavarur dhe qytetarët, duhet të veprojnë që zëri i tyre të dëgjohet. Ata duhet të mbrojnë të drejtat dhe liritë e tyre të shprehjes, përfaqësimit dhe grumbullimit. Kjo më sjell tek rrethi i dytë i sfidave: zhvillimi rajonal, integrimi dhe siguria energjetike për nxitjen e përparimit dhe zhvillimit ekonomik. Vendet e këtij rajoni do të përmbushin mundësitë e tyre vetëm kur të zëvendësojnë rivalitetet me bashkëpunim dhe të përqafojnë projektet rajonale që sjellin vende pune, investime dhe praktika të biznesit të pastër për gjithë rajonin. Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm procesin e Berlinit të kancelares Angela Merkel dhe i jemi afruar BE-së për të parë se si mund të sjellim institucionet financiare ndërkombëtare, ndihmën amerikane për zhvillim dhe sigurimet për rrugët kryesore, hekurudhat, portet dhe projektet energjetike.
Derisa kemi dyfishuar përpjekjet për të sjellë zhvillim për gjithë rajonin, duhet të jemi po ashtu mbrojtës vigjilent të vlerave tona demokratike. Ne jemi për tregtinë e lire, tregun e lire dhe njerëz të lirë. Ne forcohemi kur kemi qeveri të pastra dhe në shërbim të qytetarëve të tyre. Ne aspirojmë vendosjen e standardeve të arta globale për tolerancën fetare e etnike dhe pluralizmin. Në cdo gjë që bëjmë, duhet të mbështesim të drejtën sovrane të çdo kombi që të shkruaj të ardhmen e tij demokratike; duhet ta crrënjosim kancerin e korrupsionit; dhe duhet të punojmë së bashku që të ndërpresim përhapjen e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftëtarëve të huaj. Korrupsioni mbetet pengesa kryesore e përparimit në këtë rajon. Ai është kancer që shtrydhë fuqinë e demokracive tona dhe con në papunësi dhe trazira. Për më tepër, ai krijon dobësi që autokratët dhe ekstremistët e dhunshëm mund t’i shfrytëzojnë. Të gjithë ata që duan të nxisin probleme këtu, mund të gjejnë jë derë të hapur kur paratë e pista mund të blejnë politikanë të korruptuar dhe të dëmtojnë qeverisjen demokratike dhe sundimin e ligjit. Për të përmirësuar sundimin e ligjit dhe për të mbyllur hapësirën për forcat antidemokratike, po punojmë në partneritet me Evropën Qendrore e Lindore.
Në Shqipëri jemi partner në ngritjen e një rrjeti rajonal për luftë kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe kemi përgëzuar konferencën e fundit rajonale në Tiranë mbi këtë çështje. Çështjet që ndodhen para nesh – demokracia, përparimi dhe qeverisja e mbështetur mbi vlera – nuk janë të reja. Ne kemi punuar në to këtu, gjithandej Ballkanit dhe Evropës Lindore për më shumë se dy dekada. Por, sot me sfidat e ashpra të sigurisë në jug dhe në lindje të Evropës, ky rajon ndodhet në peshojë. Ose puna e 20 viteve të fundit do të përfundohet më vendime të urta të udhëheqësve me kurajo dhe qytetarëve që punojnë për jetë më të mirë, ose ky rajon mund të bjerë pre e rreziqeve, urrejtjes dhe ndërhyrjeve të jashtme që sollën mjerim shumë herë më parë. Dhe derisa ju bëni ketë zgjedhje, vende të tjera me sfida të ngjashme nga Tunizia në Ukrainë do të presin nëse do të keni sukses dhe nëse mund t’u ndihmoni duke u treguar se si bëhen gjerat. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë bashkë me partnerët e komunitetit trans atlantik në mbështetje të një Ballkani të lire, në paqe dhe në begati. Zgjedhja është e juaja”.
Turi ballkanik, agjenda e Victoria Nuland
11 korrik: Vizitë në Bosnje Hercegovinë, ku do t’i bashkohet delegacionit presidencial me rastin e 20-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës. Delegacioni do të takohet me zyrtarë qeveritarë dhe liderë politikë për të diskutuar për çështje dypalëshe dhe rajonale.
11-14 korrik: Udhëtim me një ekip në Podgoricë, Mal i Zi, Prishtinë, Kosovë, Shkup, Maqedoni, Tiranë, Shqipëri dhe Beograd, Serbi, ku do të takohet me zyrtarë të lartë, liderë politikë dhe anëtarë të shoqërisë civile, e ku do të diskutojë për çështjet bilaterale dhe rajonale, përfshirë integrimin euroatlantik dhe rajonal. Në Kosovë dhe Serbi ajo do të diskutojë për dialogun Kosovë-Serbi dhe progresin në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, më 19 prill 2013, për normalizimin e marrëdhënieve.
15-16: korrik Vizitë në Kiev, Ukrainë, ku do të takohet me zyrtarë qeveritarë, liderë politikë dhe biznesi, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar për çështje bilaterale dhe rajonale.