Ky ligj ndalon çdo pagesë të dytë nga buxheti publik për zyrtarët shtetërorë. Megjithatë prej prillit 2018, kur ky ligj ka hyrë në fuqi, janë mbi 600 zyrtarë publikë, të cilët marrin më shumë se një pagë nga buxheti i shtetit, shkruan sot Koha Ditore.
Ligji, sipas Agjencisë Kundër Korrupsionit, nuk ka gjetur ende zbatim për një arsye. Sipas tyre, ligjet e tjera e lejojnë pagesën për më shumë se një pozitë, ndërsa ky ligj që është votuar më vonë nuk e lejon.
Sipas shoqërisë civile, janë mbi 660 zyrtarë publikë që paguhen jashtëligjshëm nga buxheti i shtetit, duke filluar nga kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, që, sipas tyre, mban shtatë pozita.
Pa u modifikuar ligji i fundit, i cili shprehimisht sqaron nenet e ligjeve të tjera, zyrtarët publikë do të vazhdojnë të marrin para në kundërshtim me nenin 13 të këtij ligji.
Neni 13 i këtij ligji, papajtueshmëria me ushtrimin e funksionit publik, përcakton edhe situatat kur zyrtarit publik i ndalohet të ushtrojë më shumë se një pozitë në organe apo institucione drejtuese. Paragrafi 2 i këtij neni e sqaron këtë situatë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)