Nuk u respektua distanca sociale kritikohet Ish-ministri Vitia pas paraqitjes në tubimin e LV-së

E publikuar: 12/06/2020 21:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të premten Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar një tubim publik në sheshin “Skënderbeu” të Prishtinës ku është përballur me kritika të shumta pasi që nuk u respektua distanca sociale.

Partia e Albin Kurtit është akuzuar se ka rrezikuar sot qindra njerëz, teksa vendi ndodhet në mes të pandemisë Covid-19.

Kritika ka marrë në veçanti shefi i degës së VV’së në Prishtinë, Arben Vitia, që udhëhoqi Ministrinë e Shëndetësisë në Qeverinë Kurti.

Ish-ministri është kritikuar pas paraqitjes së tij në tubimin ku nuk u respektua distanca sociale, e rekomanduar nga institucionet shëndetësore vendëse dhe ndërkombëtare.

Figura të ndryshme, por edhe qytetarë të thjeshtë, kanë shprehur zhgënjimin e tyre që Vitia, i cili ka qenë zyrtari që ka bërë më së shumti thirrje që të mbahej distanca sociale gjatë kohës sa ishte ministër, sot ishte njëri prej zyrtarëve që iu drejtua turmës së VV’së, e cila u pa qartë se nuk e respektoi distancën.

Pa asnjë masë mbrojtëse, pa maskë e pa doreza, Vitia në tubim foli edhe për koronavirusin, teksa lëvdoi veten dhe ministrinë që udhëhoqi.