BE nuk do të ndërmjetësojë në problemin e Katalonisë

E publikuar: 29/09/2017 16:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë përjashtuar mundësinë e ndihmës përmes ndërmjetësimit në problemin mes Qeverisë spanjolle dhe asaj rajonale katalonase për referendumin e ardhshëm për pavarësinë e Katalonisë.

President i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, të premten në Samitin e BE-së në Estoni, tha se mosmarrëveshja “është problem i Spanjës në të cilën ne mund të bëjmë shumë pak”.

“Ky është problem i respektimit të ligjeve spanjolle të cilin spanjollët duhet ta zgjidhin veten”, shtoi Tajani.

Zyrtarët katalonas, përfshirë edhe kryebashkiaken e Barcelonës, kanë kërkuar nga BE-ja që të ndërhyjë për të ulur tensionet në prag të referendumit të planifikuar për të dielën, për të cilin autoritetet spanjolle pretendojnë se është antikushtetues.

Tajani tha se BE do të vazhdojë të mbështesë qeverinë spanjolle, sepse “shikuar nga këndvështrimi ligjor, Madridi ka të drejtë”.

“Mendoj se e rëndësishme është të flasim në nivel politik pas të hënës”, tha Tajani.

BE-ja më parë është prononcuar se Katalonia do të dëbohet nga blloku nëse shpall pavarësinë.