Nuk kisha takuar kurrë gra të dhunuara në luftë. Sot qamë së bashku

E publikuar: 14/09/2017 23:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në librin Ana Karenina, që në fillim të librit, Leo Tolstoy shkruan: Familjet e lumtura janë njësoj; ndërsa secila familje e palumtur është e palumtur në mënyrën e vet. Me një fjalë, tragjeditë janë të ndryshme.

Duke qenë gazetar, e posaçërisht duke qenë i lindur dhe i rritur në një rajon të përfshirë nga flakët e luftës për tri vjet me radhë, më ka rënë të takoj lloj-lloj viktime, e të dëgjoj lloj-lloj rrëfimi. Ta zëmë, kam dëgjuar se si në Kralan të Klinës, një baba kishte kërkuar prej forcave serbe t’ia lironin djalin e marrë peng, dhe ta vritnin atë në vend të tij. Një lloj tregtie me vrasjen. Kasapët ia kishin përmbushur këtë dëshirë. Madje e kishin ekzekutuar përpara syve të djalit të shpëtuar. Kam takuar nëna që tregojnë se si i kanë vrarë djalin, ose vajzën, ose burrin, përpara syve të saj. I kemi parë të gjithë rrëfimet e të mbijetuarëve nga masakrat e Mejes, Izbicës, Prekazit, etj. Disa prej tyre edhe i kam intervistuar.

Vetëm një kategori të viktimave nuk e kam takuar kurrë. Gratë që u dhunuan seksualisht gjatë luftës, nga forcat serbe. Që të jam krejtësisht i sinqertë, një lloj kurioziteti e kam pasur vazhdimisht për t’u përballur me një grua, me një nënë, që kishte kaluar nëpër atë tmerr. Sa herë që përmendej ky lloj krimi, sa herë që ndonjë grua fliste në ndonjë intervistë në ndonjë medium – kuptohet e mbuluar dhe e kamufluar që të mos e shohin përbindëshit paragjykues – doja ta imagjinoja se si dukej kjo grua, si pamje? Doja ta shikoja për një moment fytyrën e saj. Mendime të liga në kokën time: doja ta shihja se si duket një grua që do ta nxiste një manjak për ta dhunuar.

Deri sot nuk e kisha parë asnjë të tillë. Asnjë fytyrë të vetme. Sigurisht që kam parë të tilla, shumë madje, por nuk e kam ditur. Ato i kemi izoluar, ku nuk shihen. I kemi dënuar me dënime më të rënda se sa përdhunuesit e tyre, që sigurisht janë të lirë dhe të respektuar në rrethet e tyre.

Ditë më parë, Garentina Kraja, gazetare e luftës së Kosovës, ish-këshilltare e Presidentes Atifete Jahjaga, që aktualisht po u ndihmon grave të dhunuara, më ftoi që të takohesha me disa prej tyre, së paku për t’i dëgjuar. Ups, thash me vete. Së paku për t’i dëgjuar. Kurse unë as nuk i kisha takuar kurrë. Athua si duket tash një grua e dhunuar? Ajo nuk është më nuse e re dhe e bukur, sepse tashmë kanë kaluar 17 vjet nga krimi i kryer mbi trupin e saj. Fillova t’i numëroja vitet. Nëse atëherë ka qenë 30 vjeçare, tash duhet të jetë rreth 50. E thinjur. Me buzë të rrudhura. Sigurisht pa makijazh. E munduar dhe e mundur. Ky mentalitet dhe ky ambient është i pajetueshëm për damka të tilla.

Fillimisht i kisha thënë PO Garentines, mirëpo sot, kur po vinte momenti për t’i takuar, fillova të kërkoja arsyetime, për të mos e bërë një gjë të tillë. Fillova të frikësohesha. Në ndërkohë, më shkruante edhe Elida Ramadani, gjithashtu mike e kauzës së grave të dhunuara, ish-gazetare e luftës. U mblodha disi, dhe u nisa në drejtim të hotelit, ku po na prisnin viktimat. Në njërën anë ishin ulur koleget tjerë gazetarë, e në anën tjetër gratë. Për një moment mu duk vetja si prokuror, sepse ato, edhe pas kaq vitesh, po qëndronin të strukura dhe të trumbura. Asnjë fije të vetëbesimit nuk e kishin. Hezitonin edhe të na shikonin në sy. Filluan të flisnin për një ligj që nuk po hynte në fuqi. Tregonin se si disa punëtorë të ministrave, që ishin pjesë e një komisioni, nuk po i mbanin mbledhjet, sepse nuk po u pagueshin mëditjet. Pra, qenkan disa shqiptarë diku në Qeveri, që nuk e bëjnë asnjë mbledhje, qoftë edhe për gratë e dhunuara, nëse nuk janë të sigurtë që do t’u paguheshin meditjet. E bukur kjo. Tipike. Për këtë po flisja më lart. Dhe, gratë e dhunuara, kur po tregonin për këtë rast, më dukej sikur nga frika se mos po rrënohej çdo gjë që nga e para, po e ndjenin pak simpati për këta kodosh qeveritarë.

Doja të thosha diçka, por e ndjeja që të rrahurat e zemrës po më rriteshin, sikur që po më ndodh edhe tash kur po e kujtoj ngjarjen. Megjithatë, u shtrëngova. Sapo e hapa gojën që të thosha dicka, gruaja më e vjetër që ishte ballë për ballë më mua, e çoi kokën dhe më shikoi drejt në sy. Për herë të parë. Në atë moment, mu dok që e pashë nanën time. Mu kujtua momenti kur në prill të vitit 1999, në fshatin Doberdol, në Klinë, diku në mes të malit ku po qëndronim si të ikur, na gjetën forcat serbe. Ishim qindra veta. Serbët po vinin drejt nesh duke shtënë me armë zjarri, kurse nënat tona po na detyronin që të iknim. 

“Ikni djemtë e mi, se neve nuk na bojnë kurrgjo, e juve ju vrajnë”, ishin fjalët e nanës. Jo veç të nanës time. Edhe të krejt nanave që ishin aty për rreth. Nuk dëshiroj ta gënjej as veten, e as juve. Më pëlqenin këto fjalë të nanës. Kisha dëshirë të ikja, të shpëtoja, por gjithashtu kisha nevojë që kjo gjë të më thuhej. Pra, të ikja në mënyre krenare. Pa brejtje të ndërgjegjes. Por, ky ishte vetëmashtrim. Kështu edhe bëmë. Ikëm të gjithë, pa përjashtim. I lamë gratë, motrat dhe nanat tona vishkull në mal. Në mëshirën e forcave serbe. Sepse neve mund të na vrisnin, e ato jo. Për mundësi të tjera, siç ishte dhuna seksuale, nuk dëshironim të mendonim. E dinim edhe këtë, sepse nuk ishim të marrë, por e përjashtonim si opsion, sepse donin të iknim. Ishim burra dhe mund të na vritnin. Nga një distancë prej 1-2 kilometrash, e kemi parë skenën kur ushtarët serbë e pushtuan vendin ku kishim qenë ne, e ku kishin mbetur nanat tona. Nga po ajo distancë, kemi parë kur forcat serbe i morën nanat tona, që po luftonin me trupat e tyre për ne, edhe i nisën në drejtim të shtëpive të fshatit, të cilat ndodheshin pak më tutje. Nuk kishte vonuar edhe aq shumë kur baba, megjithatë, arriti të gjente burrërinë e tij. Na tha mua dhe vëllait se, megjithatë, do të shkonte të dorëzohej. U kujtua më në fund që edhe nana dhe motra ishin tonat. Heroinat tona. Ato që po dëshironin të na shpëtonin me çdo kusht. Pjesa tjetër e këtij rrëfimi nuk është e rëndësishme.

Këtë copë kujtimi, të vjetër 18 vjet, me lot në sy, arrita t’ua thosha atyre grave, që po më qëndronin përpara syve si copa akulli. Arrita të shihja që edhe ato filluan të shkriheshin. Të qanin. Të kënaqëshin me kujtimet e mia me nanën time. Filluan t’i tregonin edhe ato kujtimet e tyre. Secili tragjik në mënyrën e vet.

———

Gjatë atij takimi mësova se janë diku 1200 gra të identifikuara, si viktima të dhunës seksuale. Është përgatitur një ligj, që në formë të pensionit, atyre t’u jepen për cdo muaj nga 120 euro. Kjo gjë nuk ka ndodhur ende. Në anën tjetër, shoqëria është e përgatitur që t’u japë pension rreth 60 mijë veteranëve të luftës. Sipas të gjitha gjasave, kjo shifër është fryrë për 40 mijë – në mos më shumë.