Qeveria e Kosovës ende nuk e ka realizuar premtimin e dhënë për ulje të normës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.
Ata kishin premtuar se nga 1 korriku i këtij viti, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për produktet bazë të konsumit do të shënojë ulje nga 16 për qind sa është aktualisht, në 8 për qind.
Në prononcimet e mëhershme për Radion Evropa e Lirë, Nahit Sharku, nga Administrata Tatimore e Kosovës, kishte deklaruar se ligji duhet të hyjë në fuqi më 1 korrik të këtij viti.
“Nëse të gjitha procedurat ligjore shkojnë ashtu siç ka parashikuar Qeveria, atëherë ky ligj duhet të hyjë në fuqi më 1 korrik të këtij viti”, kishte deklaruar Sharaku.
Ndërkohë, gjatë ditës së enjte, mediat vendore në Kosovë kishin raportuar se ka filluar zbatimi i normës së ulur të Tatimit mbi Vlerën e shtuar nga 16 për qind, në 8 për qind.
Por, zëdhënësi i Ministrisë së Financave Muharrem Shahini, në një përgjigje dërguar përmes postës elektronike i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se ky ligj ende nuk është miratuar.
“Ligji është dorëzuar në Kuvend dhe hyn në fuqi pas aprovimit nga Kuvendi i Kosovës”, ka theksuar Shahini, ndërkohë që nuk ka dhënë ndonjë datë se kur mund të aprovohet.
Sidoqoftë, me hyrjen në fuqi të këtij ligji produktet të cilat do të kenë këtë normë të reduktimit janë: buka, vaji, kripa, qumështi, orizi, vezët, pastaj është pjesa e librave dhe gazetave që trajtohen në një kategori të veçantë.
Në kuadër të 8 për qindëshit do të hyjnë edhe barnat, produktet farmaceutike, aparatet dhe pajisjet mjekësore.
Po ashtu, në këtë normë të reduktuar të TVSH-së do të hyjnë edhe shërbimet publike, që është uji, energjia elektrike, ngrohja dhe mbledhja e mbeturinave.
Qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, uljen e TVSH-së e konsiderojnë si një iniciativë të mirë të Qeverisë së Kosovës.
Bajram Hyseni, ekonomist me profesion, e vlerëson pozitivisht reduktimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.
Sipas tij, ulja e TVSH-së për produktet ushqimore elementare ndikon në përmirësimin e gjendjes sociale të qytetarëve.
“Nëse qeveria ka thënë se do të ketë ulje të TVSH-së për disa produkte bazike si vaj, sheqer…do ta lehtësonte shportën e konsumatorit”, shton ai.
Derisa, Jusuf Azemi qytetar nga Prishtina thotë se presin sa më shpejtë hyrjen në fuqi të këtij ligji.
“Në rend të parë është një simbolikë e mirë që qeveria po mendon edhe për shtresën e varfër dhe së paku po krijon njëfarë vullneti te njerëzit, por megjithatë mua kjo nuk do të më kënaq, se çmimet do të ngrihen dhe kur të bëhet një llogari, do te kemi prapë ato shpenzime të njëjta. Sidoqoftë të shohim a do ta realizohet ky premtim i Qeverisë së Kosovës”, thotë Azemi, transmeton rel.
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, është tatim që i ngarkohet konsumatorit në mallra dhe shërbime. Në Kosovë, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, zbatohet prej 1 korrikut të vitit 2001.