Nuk ka hatërmbetje mes presidentëve të federatave pas zgjedhjes së Avdullahut

E publikuar: 05/09/2025 23:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në prag të ndeshjes kualifikuese Zvicër–Kosovë, presidenti i Federatës së Futbollit të Zvicrës, Peter Knäbel, shtroi drekën tradicionale për delegacionin e FFK-së, duke dëshmuar marrëdhëniet e mira mes dy federatave edhe pas vendimit të Leon Avdullahut për të luajtur me Kosovën.

Me mikpritjen e tij, Knäbel theksoi respektin e ndërsjellë dhe lidhjet e veçanta mes dy vendeve, ndërsa nga ana e tij presidenti i FFK-së shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Zvicra i ka dhënë komunitetit shqiptar ndër vite, përfshirë integrimin në sport.

U nënvizua fakti se Kosova i ka dhuruar Zvicrës talente të mëdha në futboll, ndërsa diaspora shqiptare në këtë vend është bërë simbol i miqësisë së fortë mes dy popujve.

Në përfundim të drekës, të dy presidentët uruan që përballja e sotme të sjellë spektakël futbollistik dhe të dyja kombëtaret të kenë sukses në këtë cikël kualifikues.