Kosovari që akuzohet se në vitin 2014 i ishte bashkuar ‘Al Nusra’, Nexhat Ademi, nuk është paraqitur as këtë të martë në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Në këtë seancë, ishte paraparë që të dëgjohet fjala përfundimtare e mbrojtjes së tij dhe prokurorit.
Mitrovicasi i akuzuar për terrorizëm gjatë gjithë procesit në shumicën e rasteve nuk është paraqitur në gjykatë, vetëm në ato hera kur është sjellë i shoqëruar me polici.
Avokati i tij, Samedin Cena, tha se nuk është në dijeni për shkaqet e mos paraqitjes së klientit të tij në gjykatë, derisa konfirmojë dështimin e seancës.
Data e seancës së ardhshme nuk është caktuar ende, shkruan Gazeta Express.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Kosovës, në dhjetor të vitit të shkuar, kishte ngritur aktakuzë ndaj Nexhat Ademit për dyshimet se mitrovicasi 39 vjeçar, në janar të vitit 2014 t’i jetë bashkuar për një javë organizatës terroriste ‘Al Nusra’ në Siri.
Prokurori Elez Blakaj në aktakuzë, të njëjtin e akuzon se në mars të vitit 2016 ka provuar sërish të udhëtojë për në zonën e konfliktit në Siri, por sipas prokurorisë, me të mbërritur në aeroportin e Stambollit ishte ndaluar nga autoritet turke, ku kishte udhëtuar nga Shkupi, për t’u dorëzuar në duart e autoriteteve të sigurisë në Prishtinë.
Në udhëtimin e parë të Ademit, i cili para tre vitesh kishte arritur të shkojë në Siri, sipas aktakuzës, Nexhat Ademi kishte udhëtuar për në Stamboll përmes Aeroportit të Prishtinës, pastaj nga qytetit turk, po me aeroplan kishte udhëtuar në qytetin turk Gazientep i cili ndodhet afër kufirit me Sirinë. Nga aty, pretendon prokurori special, i njëjti kishte arritur të depërtonte në zonën e luftës në Siri, kur për një javë ka qenë pjesë e organizatës terroriste ‘Al Nusra’, e cila angazhohet për krijimin e shtetit islamik në territoret e republikave arabe të Sirisë dhe Irakut.
I akuzuari Nexhat Ademi, në seancën gjyqësore të mbajtur para një jave, është mbrojtur në heshtje. Ai vetëm është deklaruar i pafajshëm.
Por, derisa në gjykatë ka mohuar pretendimet e aktakuzës, vetë kosovari i ‘Al Nusra’ në një intervistë për Gazetën Express, në tetor të këtij viti ka pranuar se ka qëndruar për 5 ditë në Siri.
Madje, 39 vjeçari nga Mitrovica, vendimin e tij për të shkuar atje e quante heroik dhe e krahasonte me pjesëmarrjen e tij në luftën e UÇK-së në Kosovë dhe në Maqedoni.
“Kom nejt 5 ditë atje. Statusin e kam pas mysafir, hala s’kam qenë i inkuadruar në luftë”, i kishte thënë gazetën Express, i akuzuari për terrorizëm.
Vepra penale për të cilën akuzohet Nexhat Ademi “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, është e dënueshme nga minimumi 5 deri në 10 vjet burg më së shumti, sipas pikës së dytë të nenit 143 të Kodit Penal të Kosovës.

















