Nuk jemi një popull, jemi një komb i copëtuar!

E publikuar: 30/03/2015 15:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Koço Danaj
Ndoshta nga padituria, ndoshta nga nxitimi, ndoshta nga hezitimi, slogani kryesor që binte në sy në mbledhjen e qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës, ishte: “Një popull, Një territor, Një ëndërr”. Pa hyrë në analizën e dy nocioneve të tjera, me të cilat do të merrem një herë tjetër, sot do të merrem me nocionin “Një popull”.
E thashë edhe më lart, arsyet mund të jenë shumë, por përdorimi i këtij nocioni është i gabuar. Shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Çamëri, Shqipërinë lindore në Maqedoni, Luginë të Preshevës, Ulqin, Tuz,  Plavë e Guci, nuk janë një popull. Ata janë një komb, por mjerisht i copëtuar nga Londra 1913.
Por çfarë ndryshimi ka nocioni “popull” me nocionin “komb” mund të thotë dikush apo shumëkush? Ka shumë.
1. Sot në Evropë janë tre grupe të mëdha popujsh, popujt sllavë, latinë dhe gjermanikë. Por brenda tyre janë me dhjetëra kombe. Brenda sllavëve është kombi rus, serb, kroat, polak, sllovak etj etj. Brenda latinëve janë kombet francez, spanjoll, italian, rumun, portugez etj. Brenda gjermanikëve janë kombi gjerman, suedez, danez, austriak etj etj.
2. Të pranosh se shqiptarët janë thjesht një popull, do të thotë tu japësh të drejtë përkrahësve të “kombit kosovar” në Prishtinë, do të thotë tu japësh të drejtë shqiptarëve në Maqedoni të “shpikin” edhe ata një komb tjetër, do të thotë, të lësh “jetimë” shqiptarët në Mal të Zi, në Luginë të Preshevës, do të thotë të “varrosësh përfundimisht Çamërinë”.
3. Përfundimi është i thjeshtë: Shqiptarët janë një komb. Por janë një komb i copëtuar në 5 pjesë. Detyra jonë është që këto pjesë ti bashkojmë në një të vetme. Qytetarit të thjeshtë i lejohet edhe të ngatërrojë nocionet “popull” dhe “komb”. Por politikanit, të çdo rangu qoftë nuk i lejohet një gjë e tillë. Nocionet nuk janë formuluar për ti ngatërruar qoftë edhe pa dashje, por për ti respektuar me detyrim dhe rigorozitet qoftë edhe kur i përdor si slogan mbledhje qeverie.
(Autori është lider i Listës për Shqipërinë Natyrale)