Komuna e Prishtinës është gjobitur nga Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) me shumën prej 3,000 eurosh për moszbatimin e një vendimi të mëparshëm që i kërkonte të ofronte qasje në dokumente publike, raporton Infosot.
Vendimi është marrë pas një ankese të bërë nga një qytetar në shtator të vitit 2025, i cili kishte kërkuar qasje në dokumente që lidhen me shpenzimet dhe aktivitetet e institucionit. Nga shtatori i vitit të kaluar tek në fund të janarit AIP morri vendim duke shqiptuar gjobë për Komunën e Prishtinës.
AIP vlerësoi se Komuna nuk kishte ofruar qasje të plotë ndaj dokumenteve, pavarësisht mundësisë për të ofruar një shikim të pjesshëm. Dokumentet e kërkuara lidhen drejtpërdrejt me mënyrën se si shpenzohet paratë publike dhe me ushtrimin e funksioneve të zyrtarëve të Komunës, qasje kjo që garantohet me ligj.
Sipas vendimit, gjoba prej 3,000 eurosh duhet të paguhet brenda 30 ditësh në xhirollogarinë e autoritetit kompetent të AIP-së. Nëse pagesa nuk bëhet brenda afatit, vendimi kthehet në titull ekzekutiv dhe do të zbatohet nga përmbaruesi privat.
Agjencia thekson se qasja në dokumentet që lidhen me shpenzimin e parasë publike nuk është thjesht një praktikë administrative, por një element themelor i llogaridhënies së institucioneve dhe pjesë e drejtësisë për qytetarët.




















