Nuk dihen temat që hapi pala serbe në Bruksel, e për Kosovën qenë të papranueshme

E publikuar: 28/08/2020 20:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lidhja Demokratike e Kosovës, që udhëheq me Qeverinë, akoma nuk e di se çfarë temash hapi Serbia në takimin e nivelit të ekspertëve të enjten në Bruksel.

Në takimin që u vlerësua më shumë si kthim prapa sesa përparim në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, sipas koordinatorit të Kosovës për dialogun, Skender Hyseni, Serbia u përpoq të rihapë kapituj të caktuar të marrëveshjes gjithëpërfshirëse, mbi të cilën ai tha se kanë pasur një marrëveshje në parim.

Por Isa Mustafa, kryetar i partisë ku bën pjesë edhe Hyseni, thotë se po pret kthimin e tij nga Brukseli për të diskutuar këtë çështje.

“Nuk e kam kontaktuar z. Hysenin. Pasi të kthehet, sigurisht se e bisedoj me të këtë temë”, tha Mustafa.

Vetë Hyseni nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHËS, derisa kështu ka vepruar edhe Zyra e Kryeministrit.

Se cilat janë temat që ndikuan negativisht në ecurinë e bisedimeve, nuk ka treguar as Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian.

“Meqë ky është diskutim mes ekspertësh, ne nuk komentojmë atë se çfarë diskutohet në dialog apo për disponimin e palëve në këtë çështje, se çfarë ofrohet në tavolinën e bisedimeve e çka jo. Qëllimi i bisedimeve mes ekspertëve është përgatitja e një takimi të nivelit të lartë sa më profesional të mundshëm që do të mbahet në shtator në Bruksel mes presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Kosovës”, tha Peter Stano, zëdhënës i BE-së.

Stano ka thënë se takimet ndërmjet ekspertëve dhe liderëve do të vazhdojnë derisa të dyja vendet përmes një marrëveshjeje ligjërisht obliguese të pajtohen për të gjitha çështjet e hapura.

Pas takimit të së enjtes, të dy delegacionet fajësuan njëri-tjetrin. Skënder Hyseni akuzoi palën serbe se ishte jokonstruktive në takimin e fundit, ndërsa Marko Gjuriq mohoi se aty është diskutuar çështja e njohjes reciproke.