Drita do të përballet me skuadrën malazeze, Deçiç.
Skuadra kosovare, Drita do të përballet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” me skuadrën malazeze, KF Deçiç, në kuadër të Europa Conference League.
Para ndeshjes në konferencën për shtyp të organizuar për mediat, trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu theksoi se KF Deçiç është një skuadër e fortë dhe e vështirë megjithëse gjilanasit janë aty për ta fituar ndeshjen.
“Vijmë pas një faze ku kemi pasur kohë të mjaftueshme ta analizojmë kundërshtarin, bëhet fjalë për një kundërshtar të fortë ku ka fituar trofe në Mal të Zi”, tha ai.
“Bëhet fjalë për një kundërshtar të mirë, ata përveç që kanë siguruar trofe, ata ishin edhe skuadra me më së paku gola të pranuara në Mal të Zi”, shtoi ai.
“Nuk diskutohet, skuadra është gati, edhe transferimet po ambientohen dhe gjithçka ka ecur mirë dhe jam i kënaqur që nuk kemi lëndime përveç Namanit dhe Kastriotit të cilët ishin të lënduar nga sezoni i kaluar”, tha Nuhiu.
“Mendoj që grupi ynë ka kualitetin dhe cilësinë për të shkuar tutje”, përfundoi Ardian Nuhiu.