Një vit pasi Nubia prezantoi telefonin e parë të lojërave Red Magic dhe vetëm gjashtë muaj pas debutimit të Red Magic 2, kompania është rikthyer me një tjetër telefon të kësaj kategorie quajtur Red Magic 3.
Ndryshimi i madh është tek sistemi i ajrimit dhe i ftohjes i cili përveç ftohjes së lëngshme vjen me një ventilator që Nubia thotë se është i pari i llojit të tij.
Sistemet e ajrimit janë vendosur në fokus të smartfonëve të lojërave vitet e fundit. Razer Phone 2 mbinxehet gjatë përdorim intensiv ndërsa për telefonin ASUS ROG duhej të vendosnit një ventilator të jashtëm.
Red Magic 3 duhet të zgjidhë këtë problem. Specifikat e harduerit janë të ngjashme me smartfonët e tjerë të lojërave me procesor Snapdragon 855, 12GB RAM dhe 256GB memorie.
Bateri prej 5,000 mAh karikohet me një kabull 27-vat. Nga jashtë Magic 3 ka një kamër të pasme 48-megapiksel dhe një kamër frontale 16-megapiksel.
Ekrani 6.65-inç AMOLED ka rezolucion FHD+, HDR dhe frekuencë rifreskimi prej 90Hz. Po sigurisht ka edhe një portë kufjesh 3.5mm. Nubia Red Magic 3 del në shitje më 3 Maj në Kinë për 430 dollarë.
Së shpejti telefoni do të shitet në SHBA, Britani, Kanada dhe disa vende Evropiane e Aziatike. /PCWorld Albanian