Bordi i Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit (BPSL) i përbërë nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës, Zyra e BE-së në Kosovë/PSBE dhe Misioni EULEX i kanë ripërtërirë përkushtimet e tyre nga Marrëveshja Kompakte duke e nënshkruar Marrëveshjen Kompakte të dytë për Sundimin e Ligjit në Kosovë.
Pasi që Marrëveshja Kompakte ishte nënshkruar fillimisht në nëntor 2012, kjo Marrëveshje Kompakte e rishikuar i nënvizon përkushtimet e përbashkëta për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
Sipas një komunikate të EULEX-it, prapa këtij përkushtimi të përgjithshëm qëndrojnë një numër i veprimeve konkrete të Marrëveshjes Kompakte.
“Ato i adresojnë çështjet e ndryshme si: fuqizimi i policisë, doganës, institucioneve korrektuese dhe gjyqësore në tërë Kosovën, të cilat do të ndihmojnë në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave dhe aspiratave të Kosovës për anëtarësim në BE. Po ashtu, Marrëveshja Kompakte bën thirrje që të shtohen kapacitetet kosovare për ta luftuar korrupsionin, si dhe aftësitë e tyre në luftimin e krimit të organizuar, duke i kushtuar vëmendje adresimit të krimeve ndër-etnike”, thuhet në komunikatë.
Po sipas komunikatës, të tre bashkë-kryesuesit e BPSL-së, Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, Shefi i Zyrës së BE në Kosovë/PSBE, Samuel Žbogar dhe Shefi i Misionit EULEX, Gabriele Meucci, e nënshkruan dokumentin e Marrëveshjes Kompakte të ripërtërirë në selinë e EULEX-it, bashkë me Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, dhe Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Aleksandër Lumezi.
Me këtë rast thuhet se shefi i Misionit EULEX, Gabriele Meucci, e mirëpriti këtë marrëveshje duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt avancimit të mëtejmë të sundimit të ligjit në Kosovë.
“Marrëveshja na ofron mbështetjen e nevojshme për çdo proces të reformave. Nga këndvështrimi praktik, unë jam i kënaqur që u pajtuam me listën e veprimeve konkrete, të cilat do të sigurojnë vazhdimin e punës në përkrahje të sundimit të ligjit edhe pas mandatit aktual të EULEX-it. Jemi pajtuar që t’i ndajmë resurset e nevojshme dhe ta përqendrojmë punën tonë drejt arritjes së objektivave të përgjithshme të përbashkëta për sundimin e ligjit, siç janë përcaktuar në këtë Marrëveshje Kompakte”, citohet të ketë thënë Meucci. /Telegrafi/