Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përgatitur një “paketë speciale”, e cila javëve të ardhshme do t’i prezantohet fillimisht presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kështu së paku shkruar e përditshmja serbe “Novosti”, duke u thirrur në burime.
Sipas burimit të kësaj gazete, ky dokument i Washingtonit, me një notë të theksuar gjeopolitike, ka të bëjë drejtpërsëdrejti me statusin e Kosovës dhe i cili mund të përcaktojë në masë të madhe drejtimin e mëtejmë strategjik të Serbisë, transmeton Koha.net.
“Teksti i Kosovës” i Administratës Trump, për të cilin mund të flitet qysh sot kur në Beograd të arrijë Wes Mitchell, ndihmësi i ri i Sekretarit të Shtetit për Evropë dhe Euro-Azi, përmban disa pika kyçe:
* parasheh që Asociacioni i komunave serbe të marrë kompetenca të gjera ekzekutive dhe kompetenca të zgjeruara në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe kulturës
* Asociacioni do të ishte i lidhur ngushtë institucionalisht me zëvendëskryeministrin e Qeverisë së Kosovës, i cili do të vinte nga radhët e serbëve dhe i cili praktikisht do të ishte kontrollues i punës së saj dhe ushtrimit të autoritetit
* nga Beogradi pritet të mundësojë anëtarësimin e Prishtinës në organizata ndërkombëtare
* nëse pala serbe pranon këtë pako, Serbisë do t’i lejohet anëtarësimi në Bashkimin Evropian, ndërsa SHBA-ja do t’i garantonte mbështetje të gjerë ekonomike dhe diplomatike në arenën ndërkombëtare politike
“Novosti” thotë se qarqet e tyre diplomatike vlerësojnë se ky hap i Amerikës është ndërmarrë pasi që janë të pakënaqur me Brukselin inert kur bëhet fjalë për çështjen e Kosovës.
“Po ashtu, në kontekstin e opsioneve gjithnjë e më joformale mbi ndarjen e Kosovës dhe Metohisë, administratës së Washingtonit nuk i konvenon që Beogradi edhe de jure të marrë veriun, sepse do të krijonte një ‘zonë tampon’ midis boshnjakëve dhe shqiptarëve, aleatëve të tyre të besuar, ndërsa Serbia do të merrte kontrollin e Kopaonikut dhe Zubin Potokut, të cilat janë pika të rëndësishme strategjike”, shkruan kjo gazetë, transmeton Koha.net.
Natyrisht se ky propozim, sipas Novostit, ka edhe anën tjetër të medaljes, pasi që në shpinë të Vuçiqit vë një përgjegjësi të madhe.
“Nuk është e rastësishme që adresa e parë e kësaj ‘pakoje’ është shefi i shtetit [të Serbisë], pasi që bëhet fjalë për figurën bindshëm më të fuqishme politike në vend. Për këtë arsye, ‘dërgesa’ e lartpërmendur tashmë ngre një pyetje – çfarë do të ndodhë nëse Beogradi dhe Presidenti Vuçiq do të refuzojnë idetë e forcave tejoqeanike?”, pyet “Novosti”.
Sipas mediumit serb, pasoja e parë do të ishte bllokimi i procesit euro-integrues të Serbisë, rrjedhimisht humbje të shansit për t’u anëtarësuar në BE. Faktori tjetër i rrezikut, siç vlerëson kjo gazetë, është “humbja e investimeve të huaja direkte, pikë së pari nga shtetet e BE-së, që do të ishte goditje e rëndë për ekonominë serbe, e cila ngadalë po e ngre kokën”.